Kryesia e PDK-së i kthen përgjigje Lladrovcit për kandidatin në Drenas: Është çështje e mbyllur

22:52 | 05 Qershor 2021

Partia Demokratike e Kosovës përmes një komunikate adresuar mediave ka dhënë fjalën e fundit lidhur me kandidatin për kryetar të PDK’së në Drenas.

Dega e PDK’së në Drenas ka zgjedhur Driton Ajazin që të kandidojë për kryetar të Drenasit.

Megjithatë në komunikatë thuhet se PDK’ja nga janari i këtij viti ka bërë të ditur se do të rikandidojë të gjithë kryetarët e komunave me të cilat qeveris.

Tutje, në komunikatë thuhet se ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK’së, Enver Hoxhaj, ua ka bërë me dije edhe Sejdi Hoxhës e Ferat Shalës se kandidatura e Lladrovcit është cësthje e mbyllur.

“Javën e kaluar, kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj u ka sqaruar edhe në takime private kryetarit të Degës së Drenasit, Sejdi Hoxhës dhe deputetit Ferat Shala, se kandidatura e Ramiz Lladrovcit për Komunën e Drenasit është çështje e mbyllur”, thuhet në komunikatë.

Më poshtë gjeni komunikatën e plotë:

Partia Demokratike e Kosovës, respektivisht Kryesia Qendrore, ka qenë shumë e qartë në janar të këtij viti kur ka vendosur publikisht që të rikandidojë të gjithë kryetarët e komunave në të cilat qeverisë ajo.

PDK e ka rikandiduar Agim Aliun në Ferizaj, Naim Ismajlin në Shtime dhe njëjtë pritet të bëjë edhe me Ramiz Lladrovcin në Drenas dhe Besim Ilazin në Kaçanik.

Javën e kaluar, kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj u ka sqaruar edhe në takime private kryetarit të Degës së Drenasit, Sejdi Hoxhës dhe deputetit Ferat Shala, se kandidatura e Ramiz Lladrovcit për Komunën e Drenasit është çështje e mbyllur.

PDK vlerëson punën e secilës Degë në të gjitha komunat e vendit, iniciativat dhe përkushtimin e tyre rreth mobilizimit të strukturave për të përgatitur ofertat më të mira për qytetarët e Kosovës, por, sa i përket komunave ku PDK udhëheq, Kryesia Qendrore tashmë ka thënë fjalën e saj përfundimtare.

Komento: