Kryesuesi i KPK’së për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit: S’ka pozita të rezervuara në sistemin prokurorial

21:55 | 23 Mars 2026
kryesuesi-i-kpk’se-per-zgjedhjen-e-kryeprokurorit-te-shtetit:-s’ka-pozita-te-rezervuara-ne-sistemin-prokurorial

Arian Gashi, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), ka folur rreth asaj se kur pritet të zgjedhet Kryeprokurori i Shtetit dhe çfarë duhet t’i paraprijë këtij procesi.

Gashi theksoi se ky është një problem që e ka trashëguar në KPK, ngase nuk ka qenë pjesë e Këshillit kur ishte bërë propozimi i Blerim Isufajt për këtë pozitë.

“Kjo është një nga problemet që unë kam trashëguar në Këshillin Prokurorial të Kosovës, propozimi që ju e thatë (për Kryeprokuror të Shtetit) është bërë në vitin 2022, kur unë nuk kam qenë fare pjesë e Këshillit Prokurorial të Kosovës, për shkak se unë kam ardhë në vitin 2023- është një prej çështjeve që më së shumti opinioni publik ka interesim”, tha Gashi.

Lidhur me këtë çështje, ai tha se në adresë të KPK-së me ardhjen e tij në pozitën e kryesuesit, që nga data 16 mars ka pranuar shumë kërkesa për informacion lidhur me për këtë çështje.

Kryesuesi tha se është e vërtetë se lidhur me procesin e kaluar për Kryeprokuror të Shtetit ka pasur kritika të mëdha edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Tha se pret që çështja e Kryeprokurorit të Shtetit të trajtohet në një të ardhme të afërt.

“Duke filluar nga Ambasada Amerikane, Ambasada Gjermane dhe partnerët tjerë nga komuniteti ndërkombëtar, po ashtu nga shoqëria civile ka pasur kritika të mëdha. Konsideroj që kjo është një çështje që do duhej të trajtohej trupave të Këshillit Prokurorial të Kosovës në një të ardhme të afërt”, u shpreh Gashi.

Ai deklaroi se konsideron që duhet të ketë një analizë paraprakisht të gjithë asaj që është bëri deri tani në këtë proces.

“Për të parë se ku ka ngecur ky proces, për të parë se cilat kanë qenë të metat e këtij procesi dhe vetëm pasi që ta kemi këtë analizë- atëherë duhet ta shqyrtojmë aspektin ligjor për shkak se siç e dini ne edhe pse në vitin 2024 kemi nxjerrë si Këshill një Rregullore që ka të bëjë me zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive tjera në nivel të Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, rregullorja në fjalë është nxjerrë kur ka qenë në fuqi Ligji paraprak i KPK-së, ndërkaq Ligji i ri ka paraparë ndryshime të cilat e reflektojnë nevojën urgjente të ndryshimit të kësaj rregulloreje.

Gashi deklaroi se nëse ky proces do të trajtohej tani brenda trupave të KPK-së, do të ishte e pamundur të bëhej me rregulloren paraprake.

“Sepse në atë rregullore, në komisionin rekrutues në shkallë të parë parashihet që të jenë pesë anëtarë, në shkallë të dytë në Komisionin e ankesave parashihet të jenë tre anëtarë- që në fakt duhet të jenë pesë plus tre- tetë, sepse vetë përbërja e Këshillit Prokurorial ka komplet shtatë anëtarë prej të cilëve gjashtë janë tani aktual. Është e pamundur që ta trajtojmë këtë çështje brenda rregullores që e kemi në fuqi dhe natyrisht që edhe kjo rregullore do duhej të ndryshohej paraprakisht, dhe vetëm pasi ta kemi të gjithë këtë analizë, pasi ta kemi edhe ndryshimin e rregullores në fjalë në konsultim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe me shoqërinë civile duhet t’i qasemi kësaj teme në një të ardhme të afërt”, u shpreh ai.

Kryesuesi Gashi theksoi se edhe Raporti i Progresit një nga problemet që e parasheh në sistemin prokurorial është procesi i ri për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

Ai pret që deri në Raportin e ardhshëm të Progresit, kjo çështje të marrë një epilog. Tha se duhet të trajtohet në nivel të Këshillit.

“Ajo çka mundem t’iu siguroj qytetarëve të Republikës së Kosovës është fakti se nuk ka emra të përveçëm, nuk ka pozita të rezervuara në sistemin prokurorial, dhe kur jemi tek zgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit kjo e di i tejkalon kompetencat e Kryeprokurorit të Shtetit për vetë faktin se të gjitha procedurat që kryhen për rekrutim të prokurorit të shtetit, pastaj duhet një dekret nga ana e Presidentes që ai të zgjedhet, për dallim nga të gjjtha pozitat tjera të kryeprokurorëve të tjerë”, shtoi Gashi.

Gashi paraprakisht theksoi se në të kaluarën kanë munguar bashkëpunimet ndërintitucionale, mirëpo tha se gjatë udhëheqjes së tij do të ketë bashkëpunim.

“Fatkeqësisht këto bashkëpunime ndërinstitucionale kanë munguar, fatkeqësisht ka pasur mure që janë ndërtuar, unë ato mure do t’i shndërroj në ura, në ura të bashkëpunimit ndërinstitucional”, tha Gashi.

Ai tha se vizioni i tij për KPK-në është bërë i ditur kur ka dorëzuar koncept-dokumentin e publikuar në ueb-faqen e KPK-së.

Gashi tha se vetëm sa ka filluar me nxjerrjen e vendimeve, duke caktuar takime dhe se janë marrë disa vendime, janë miratuar rregullore për funksionimin normal të KPK-së.

“Ka pasur edhe vendime të tjera që kam marrë brenda kësaj jave që ndërlidhen pikërisht me trupat që bëjnë Këshillin funksonal, po flas për komsionet e përhershme të Këshillit Prokurorial”, tha Gashi. /BetimipërDrejtësi

Komento: