Kryesuesit e dialogut: Kufijtë e Republikës së Kosovës nuk preken

11:56 | 15 Shkurt 2019

Kryesuesit e ekipit negociator me Serbinë ia kanë dorëzuar sot platformën për dialog kryetarit të Kuvendit Kadri Veselit.

Pas dorëzimit të Platformës, në Kuvendin e Kosovës, për dialogun me Serbinë, ka folur kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili ka thënë se nga ajo platformë garantohet integriteti dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës, duke e bërë të qartë se në platformë nuk është përfshirë ideja për korrigjimin e kufijve.

Të njëjtën gjë e ka thënë edhe përfaqësuesi i ekipit të unitetit, Shpend Ahmeti, i cili ka thënë se e gjithë platforma është e bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës do të respektohen ashtu siç thuhet në Kushtetutë.

“Viti 2019 është viti kur Kosova do të anëtarësohet në OKB, është viti që Kosovës do t’i hapet rruga drejt NATO-s, viti i liberalizimit të vizave, dhe viti i integrimit në BE. Sot delegacioni shtetëror ka dorëzuar platformën për dialogun për marrëveshjen finale për normalizimin e raporteve me Serbinë. Kjo është baza që do ti propozohet Kuvendit. Garanton integritet të plotë të shtetit tonë të pavarur dhe sovran. Nuk do të ketë Asociacion. Garanton edhe përgjegjësitë që ka shteti i jonë, për vëllezërit tanë shqiptarë në Serbi, që t’iu respektohet të drejtat e tyre”, ka thënë Veseli, raporton Gazeta Express.

Veseli megjithatë thotë se fjalën përfundimtare për marrëveshjen me Serbinë do ta thonë qytetarët përmes Referendumit.

“Në do të miratojmë këtë platformë, ndërsa vendimmarrjen për marrëveshjen finale, do ta keni ju vetë me referendumin që do ta kemi në Republikën e Kosovës”, ka shtuar Veseli.

Ai gjithashtu u ka bërë thirrje partive opozitare që t’i bashkohen procesit të fazës finale të dialogut me Serbinë.

E kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka thënë se të gjitha parimet e platformës janë të mbështetura në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Sot i japim fund spekulimeve se çfarë bëhet fjalë në këtë platformë. Në këto 11 parime, e kemi bërë të qartë se cili është qëndrimi zyrtar i Republikës së Kosovës nëse aprovohet nga Kuvendi, karshi marrëveshjes finale me Serbinë. Platforma bazohet plotësisht në Kushtetutën e Kosovës, sa i përket sovranitetit dhe integritet territorial të Republikës së Kosovës. Dhe këtë do ta ruajmë”, ka thënë ai, raporton Express.

Ai ka treguar se në platformë është përmendur edhe puna e resurseve të Republikës së Kosovës, që sipas platformës, ato janë e drejtë ekskluzive të Republikës së Kosovës.

“Resurset që janë në Republikën e Kosovës, janë e drejtë ekskluzive e Republikës së Kosovës dhe është e drejtë e Kosovës që t’i shfrytëzoje ato”, ka shtuar Ahmeti.

Ai thotë se nuk do të shkojnë në dialog, nëse nuk do të ketë si përfundim njohje të pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

“Ne nuk shkojmë në këtë dialog, nëse mendojmë që përfundimi i këtij dialogu është më pak se njohje. Nëse nuk ka njohje, atëherë asnjë pikë e marrëveshjes nuk është valide”, ka thënë ndër të tjera Ahmeti.

Edhe Fatmir Limaj ka thënë se në këtë platformë do të ruhet sovraniteti i Republikës së Kosovës, dhe se nuk do të ketë që në atë dokument pretendime që Kosova ka karshi shteteve tjera.

Komento: