Kryetarët e Veriut: Hapja e Urës pozitive, por KFOR-i nuk do të lejojë

17:03 | 07 Gusht 2024
kryetaret-e-veriut:-hapja-e-ures-pozitive,-por-kfor-i-nuk-do-te-lejoje

Serbët në veri të Kosovës janë mbledhur sot për të protestuar pas paralajmërimit të Qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit.

Protesta është monitoruar e përcjellw nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i.

Në pankartat e protestuesve është shkruar se “Nëse Kurti e hapë Urën, përgjegjësinë e ka KFOR dhe QUINT-it dhe “Ndërsa BE-ja dhe SHBA-ja po shkruajnë deklarata, neve po na dëbojnë”.

Mbledhja e qytetarëve serb për ta  kundërshtuar hapjen e Urës së Ibrit ka përfunduar pa incidente.

Kreu i Zubin Potokut: Problemi i Urës së Ibrit është propagandë, hapja do të ndikonte pozitivisht

Një pjesë e qytetarëve në komunat me shumicë serbe po kërkohet stabilitet për këtë çështje, po thotë kreu i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

Zeqiri në një prononcim për Front Online tha se problemi i Urës së Ibrit është propagandë.

Sipas tij, kjo çështje s’ka nevojë të diskutohet në Bruksel fare.

“Mesiguri ka pasur qytetarë edhe nga Zubin Potoku, por një pjesë e qytetarëve është e gatshme me i kontribu stabilitetit sepse është interes jetik. Problemi i Urës së Ibrit është më tepër propagandë që po thonë që deri në Bruksel të bisedohet për këtë çështje që nuk është e nevojshme aspak, është qarkullimi i lirë gjithandej”, u shpreh Zeqiri.

Zeqiri thotë se hapja e Urës do të ndikonte pozitivisht tek qytetarët, pasi është në interes të tyre.

“Hapja e Urës do të ndikonte pozitivisht për të gjithë qytetarët, por kjo më tepër po mbulohet me propaganda politike se sa më tepër që kanë nevojë qytetarët. Është interes i të gjithë qytetarëve të jetë qarkullimi i lirë sikur gjithandej Kosovës një pjesë e mirë e qytetarëve e kanë kuptuar që askujt nuk i konvenojnë”, deklaron Zeqiri.

Uglanin: KFOR-i nuk do të lejojë të hapet Ura e Ibrit

Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, Nexhat Uglanin deklaron se KFOR-i nuk do të lejojë të hapët njëherë Ura e Ibrit.

Sipas tij, pa dialog e bisedime mes dy palëve një gjë e tillë s’mund të ndodh.

“Duke parë reagimet me protesta, KFOR nuk do të lejojë që të hapët Ura pa diskutimet dhe pa dialog përmes palëve dhe pala jonë nuk do të hynë në bisedime me atë serbe. Ura i takon qytetarëve dhe ndikimet politike që po ndodhin nga ana e Serbisë me kohën e duhur do të hapët por njëherë nuk do të lejojë  ndërkombëtarët”, u shpreh ai.

Ndikimi politik nga Serbia e Lista Serbe po ndikon tek qytetarët në veri që të protestojnë, thotë Uglanin.

“Ky organizimi nuk ka qenë rastësisht por serbët janë kyçur në ngjarje ditore dhe ka ardhur sinjali nga kryetari i Republikës së Serbisë që të merret pjesë në protesta, numri ka qenë i madh se ata kanë qenë përmes ndikimit politik nga Serbia e Lista Serbe se mos me qenë ndikimi i tyre numri kishte me qenë minimal, kjo temë e Urës do të vazhdoj ende”, theksoi ai.

Sipas tij, Qeveria ‘Kurti’ për hapjen e Urës duhet të koordinohet me ndërkombëtarët.

“Qeveria duhet t’i marr hapat konkrete në koordinim me ndërkombëtarët sepse ata duhet t’i mbrojnë vlerat demokratike është lëvizja e lirë qytetare dhe e automjeteve”, përfundoi ai.

Policia ka reaguar në lidhje me protestën që është mbajtur sot në afërsi të Urës së Ibrit në Mitrovicë të Veriut.

Sipas policisë, qytetarët filluan të mblidheshin rreth orës 11:00, për të shprehur pakënaqësitë e tyre në lidhje me situatën dhe deklarimet për hapjen e urës për qarkullim.

“Rreth orës 12:00, protesta ka përfunduar e qetë dhe protestuesit janë shpërndarë, përderisa njësitet policore kanë vazhduar me detyrat e rregullta policore”. Tutje, policia tha se janë kujdesur për mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ofrimin e sigurisë për protestuesit para, gjatë dhe deri në përfundim të protestës.

 

 

Komento: