Kryetarët i reagojnë ministres Nagavci: Ministria po i bllokon kërkesat e Komunave për çerdhe të reja

13:00 | 28 Shtator 2024
kryetaret-i-reagojne-ministres-nagavci:-ministria-po-i-bllokon-kerkesat-e-komunave-per-cerdhe-te-reja

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë(MASHTI) ka fajësuar kryetarët e Komunave për mos dorëzimin e kërkesave për ndërtimin e çerdheve.

Në një përgjigje për “Front Online”, nga MASHTI thuhet se një pjesë e Komunave kanë probleme pronësore.

“Ndërtimi i çerdheve nuk mund të bëhet pa një kërkesë nga Komunat. Deri më tani nga komunat kemi pranuar vetëm 25 propozime të lokacioneve. Një pjesë e madhe e tyre kanë probleme pronësore, probleme të terrenit të papërshtatshëm për ndërtim, probleme me madhësinë e sipërfaqeve të parcelave, etj”, thuhet në përgjigje.

Në përgjigjen e MASHT-it thuhet se këtë vit ishin planifikuar të ndërtohen afro 40 çerdhe por vetëm 6 leje kanë pranuar nga komunat.

 “Përkundër që janë planifikuar afër 40 çerdhe për ndërtim dhe adaptim në këtë vit, nga Komunat deri më sot kemi pranuar vetëm 6 leje për fillimin e procedurave të tenderimit ndërsa kemi edhe disa kërkesa të pakompletuara. Çdo kërkesë e cila ka arritur me dokumentacion të kompletuar nga komunat është proceduar tutje dhe kanë nisur procedurat për ndërtimin e tyre”, thuhet në përgjigje.

Ibrahimi: MASHTI po bllokon përpjekjet e Komunave për hapjen e çerdheve

Me deklaratën e MASHT-it nuk po pajtohet drejtori i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi.

Ai në një prononcim për “Front Online” ka thënë se komunat kanë bërë kërkesa të parreshtura për çerdhe të reja.

Sipas tij, Ministria në fjalë po bllokon përpjekjet e Komunave për hapjen e çerdheve.

“Komunat bëjnë kërkesa të pareshtura në MASHT për çerdhet e reja dhe kanë nevojë për çerdhe publike. Qasja e MASHTI ndaj komunave në kërkesat e tyre nuk është korrekte dhe është demotivuese se kërkesat nuk po përkrahën”, u shpreh Ibrahimi për FrontOnline.

Ibrahimi thotë se në vend se të bashkëpunoj MASHT-i me Komunat, po ndodhë e kundërta.

“Ka Komuna ku ndërtesat për çerdhe janë ndërtuar me mjete vetanake komunale, mirëpo nuk mund të funksionalizohen, sepse MASHTI duhet të lejoj vende të reja pune për profesionistë të kësaj fushe. Është mirë që MASHTI të bashkëpunojë dhe t’i inkurajoj komunat në zgjidhjen e problemeve, e të cilat probleme janë të shumta në fushën e arsimit, e jo vetëm të fajësohen”, theksoi Ibrahimi.

Muhaxheri-Nagavcit: Ministrja Nagavci po thotë aplikoni, por s’i kanë përfunduar ende çerdhet që janë në proces

Edhe disa kryetarë të komunave të Kosovës nuk e shohin të arsyeshme deklarimet nga MASHTI se komunat nuk kanë kërkesa për ndërtimin e çerdheve të reja.

Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, në një prononcim për “Front Online” ka kërkuar nga MASHT-i të ndahet buxheti për ndërtimin e çerdheve, ashtu si në të kaluarën.

Muhaxheri thotë se ministrja Arbërie Nagavci po kërkon të bëjmë kërkesa, ndonëse ende s’i ka përfunduar çerdhet që janë në proces.

Ai ka përmendur një çerdhe në komunën e Pejës, e cila që gjashtë vite nuk ka përfunduar.

“E kemi shkollën që tri vite e që nuk ja kanë filluar ta realizojnë. Nuk e kanë hapur tenderin dhe e kemi një çerdhe duke u ndërtu. Ajo duhet ta ndajë buxhetin për çerdhe e jo me bërë kërkesë ashtu siç është ndarë buxheti në të kaluarën për t’i mbaruar çerdhet dhe ndoshta vitin tjetër përfundon çerdhja e financuar para 6 viteve. Ajo po thotë aplikoni por ende si ka kryer ato qe janë në proces”, thotë Muhaxheri.

Kreu i Deçanit: E padinjitetshme të fajësohen Komunat për mos ndërtimin e çerdheve

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj në një prononcim për “Front Online” ka deklaruar se është e padinjitetshëm të fajësohen Komunat për mos kërkesën e ndërtimit të çerdheve.

Ramosaj thotë se komuna e cila e drejton ka pasur kërkesa tek MASHT-i për ndërtimin e çerdheve.

“Kemi pas kërkesa dhe jemi duke e realizuar një projekt për një çerdhe në bashkëpunim me MASHT-in por edhe kërkesa tjera kemi pas është e padinjitetshme me deklarua që s’ka pas kërkesa. Mundësitë buxhetore s’janë, por nuk është e drejtë me dalë me thënë se s’ka kërkesa nga Komunat”, u shpreh Ramosaj.

Kreu i Kaçanikut: I kemi dërguar në MASHT dy kërkesa për çerdhe të reja, ende s’janë përgjigjur

Besim Ilazi, kryetari i Komunës së Kaçanikut ka folur për “Front Online” lidhur me ‘fajësimin’ e MASHTIT për mos aplikimin e komunave për ndërtimin e çerdheve të reja.

Ilazi ka deklaruar se nuk ekziston një gjë e tillë sepse komunat kanë pasur kërkesa.

Ai thotë se komuna e Kaçanikut ka pasur dy kërkesa, por ende s’ka marrë përgjigje.

“Dy kërkesa i kemi dërguar me leje, me pronë të gjitha se presim përgjigje prej tyre nuk është e vërtetë që nuk jemi të interesuar. Nuk ekziston ajo që e thonë ministrja, i kemi dërguar me leje me pronë të ndara në parcela të gjitha janë të rregulluara. Çka ka kërkuar i kemi përmbush, arsyetimi ka qenë që fondet janë bllokuar e po presim fonde të tjera”, u shpreh Ilazi për “Front Online”.

Nga Ministria e Arsimit në një përgjigje për Front Online kanë bërë të ditur se 44 çerdhe janë përfunduar, të cilat, siç thonë ata, përfshijnë edhe shkollat e adaptuara në çerdhe dhe ato në proces të ndërtimit, ndërsa 4 janë në proces të tenderimit.

“Deri më tani janë 44 çerdhe të përfunduara, shkolla të adaptuara në çerdhe si dhe në proces të ndërtimit ndërkaq, 4 janë në proces të tenderimit. Në mënyrë që MASHTI të përmbush planifikimin, jemi në pritje të komunave për ndarjen e lokacioneve të përshtatshme për ndërtimin e çerdheve”, thuhet në përgjigjen e MASHT-it për Front Online.

 

 

 

 

 

 

 

 

Komento: