
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, u takua me delegacionin e Ministrisë Federale për Punë dhe Mirëqenie Sociale të Gjermanisë.
Në takim u fol për rolin e punës si bazë të mirëqenies shoqërore, dhe nevojë për zbatim efektiv të legjislacionit të punës.
“Takimi u zhvillua në frymën e bashkëpunimit të hapur, të përgjegjshëm dhe me vizion të përbashkët për forcimin e politikave sociale dhe të punës, me theks të veçantë në dialogun social si themel i stabilitetit institucional dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik”, thuhet në komunikatën e BSPK-së.
“Në këtë takim u diskutua gjerësisht për: rolin e punës si themel i mirëqenies sociale; nevojën për zbatim të plotë dhe efektiv të legjislacionit të punës; forcimin e inspektimit të punës dhe të mekanizmave të mbrojtjes ligjore; avancimin e marrëveshjeve kolektive si instrument i dinjitetit në punë; dhe për përfshirjen reale të partnerëve socialë në hartimin dhe zbatimin e politikave publike”.
Hykolli vlerësoi rolin qendror të puëntorit, teksa fol edhe për sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova.
“Kryetari i BSPK-së theksoi se punëtori duhet të jetë në qendër të çdo politike zhvillimore. Pa drejtësi sociale nuk ka stabilitet afatgjatë; pa siguri në punë nuk ka dinjitet njerëzor; pa dialog të vërtetë nuk ka partneritet funksional. Dialogu social nuk është formalitet procedural, por është shtyllë e shtetit social dhe mekanizëm për uljen e tensioneve dhe rritjen e besimit institucional”.
“Në takim u nënvizua se Kosova përballet me sfida të theksuara në tregun e punës, me papunësi, informalitet dhe presion të vazhdueshëm mbi pagat dhe kushtet e punës. Rritja e kostos së jetesës dhe inflacioni kanë goditur drejtpërdrejt familjet punëtore. Prandaj, politika sociale nuk mund të trajtohet si asistencë, por si garanci e drejtësisë sociale dhe si investim në stabilitetin ekonomik”.
Në anën tjetër, delegacioni gjerman “vlerësoi rolin e BSPK-së si partner social i rëndësisë së veçantë në procesin e zhvillimit të politikave të punës dhe mirëqenies sociale në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e një dialogu social të strukturuar dhe të qëndrueshëm”.