Kryetari i FFK ngushëllon familjen Sherifi për humbjen e Elifes, gazetares dhe zëdhënëses së FC Drita

20:15 | 18 Mars 2026
kryetari-i-ffk-ngushellon-familjen-sherifi-per-humbjen-e-elifes,-gazetares-dhe-zedheneses-se-fc-drita

Komuniteti i futbollit në Kosovë është tronditur nga lajmi për ndarjen e hershme nga jeta të gazetares dhe zëdhënëses së FC Drita, Elife Sherifi.

Në një telegram ngushëllimi, presidenti i Federata e Futbollit e Kosovës, Agim Ademi, ka shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e saj, duke i përcjellë ngushëllime familjes Sherifi, klubit dhe gjithë komunitetit të futbollit në vend.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen e hershme nga jeta të më të dashurës suaj, Elife Sherifi. Në emrin tim, të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, klubeve dhe të gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në mesazhin e Ademit.

Ai vlerësoi lart kontributin e saj si gazetare dhe si zëdhënëse e klubit gjilanas, ku për më shumë se gjashtë vite ishte pjesë kyçe e komunikimit dhe imazhit të klubit.

“Elife Sherifi ishte një profesioniste e dalluar… me punën e saj la gjurmë të veçanta, duke fituar respektin e të gjithëve që patën fatin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me të”, theksohet më tej.

Nga FFK u bë e ditur se kjo humbje nuk prek vetëm familjen dhe FC Drita, por mbarë komunitetin e futbollit në Kosovë.

Në fund të telegramit, Agim Ademi shprehet se kujtimi për Elife Sherifi do të mbetet i përhershëm tek të gjithë ata që e njohën.

“I lehtë i qoftë dheu i Kosovës”, përfundon mesazhi i ngushëllimit.

Komento: