Kryetari i FFK-së kërkon përkrahje për Kosovën.
Pasi Kosova i ka mësuar kundërshtarët e kualifikimeve për në Kampionatin Evropian 2024, ka reaguar edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Menjëherë pas shortit, ai është takuar me të parin e Federatës së Zvicrës, Dominique Blanc.
Ademi ka thënë se përballjet me Zvicrën do të jenë shumë emocionuese për shkak të lidhjes së ngushtë që kanë popujt e këtyre dy vendeve.
Ai gjithashtu ka ftuar bashkatdhetarët që në këtë rast ta mbështesin Kosovën.
“Me këtë rast ftoj bashkatdhetarët tanë jo vetëm në Zvicër, por kudo në Evropë që të jenë në numër sa më të madh në përkrahje të Kosovës dhe së bashku ta bëjmë ëndrrën realitet.”, ka shkruar ndër të tjera Ademi.