
Kryetari i fshatit Sojevë, Betim Syla, ka një kërkesë për Qeverinë aktuale. Në një intervistë për Front Online, ai thotë se është e nevojshme të bëhet zgjerimi i rrugës nga hyrja e Bondstillit e deri tek qasja në autostraden ‘Arbër Xhaferi’ si dhe të bëhet zgjerimi i memorialit të ‘Beau Biden’, për të ruajtur edhe më shumë miqësinë me Amerikën.
“Konisderoj se Qeveria duhej ta merrte përsiper mirmbajtjen, trajtimin pse jo edhe zgjerimin e këij memoriali në të ardhmen, për të ndërtuar edhe më shumë miqësinë tonë me Amerikën, familjen Biden dhe të gjithë ata që bënë mund dhe sakrificë për Kosovën. Kërkoj nga Qeveria e Kosovës të bëj një investim në këtë rrugë sepse është në interes të të gjithve. Unë rekomandoj, që në këtë pjesë të bëhet infrastruktura rrugore, kjo rrugë të bëhet me 4 korsi, të ketë ndrqim të bollshëm si dhe trotuar. Nga hyrja e Bondstillit e deri tek qasja në autostraden ‘Arbër Xhaferi’ është e nevojshme të bëhet zgjerimi i rrugës me të gjitha kushtet evropiane”, deklaroi Syla.
Syla ka folur edhe lidhur me mirëmbajtën e rrugës dhe monumentit që mban emrin “Beau Biden”, djali të ndjerë të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
Ai ka pohuar se Kuvendi Komunal përmes kompanisë ‘Ambienti’ është duke u kujdesur mjaftë mire për këtë hapsirë.
“Faktikisht memoriali mirëmbahet nga kompania ‘Ambienti’ e Kuvendit Komunal, nga banorët dhe ndonjëherë nga disa organizata joqeveritare. Komuna është përgjegjësja kryesore e këtij memoriali dhe deri më tani jemi të kënaqur sa i përket mirëmbajtjes”, u shpreh Syla.
I pyetur për vizitat e krerëve institucional, Syla ka treguar se një nga liderët që ende nuk e ka vizituar këtë rrugë dhe monumentin që mbajnë emrin e ‘Beau Biden’, është kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti.
“Deri më tani kryeministrin Kurti, nuk e kemi pasur fatin ta kemi, por besoj në të ardhmen do të gjej kohë të vizitoj këtë memorial, i cili është domethënës jo vetëm për Ferizajn por për të gjithë shqiptarët anë e mban ku janë, duke marr parasysh historinë dhe miqësin që e kemi me SHBA-të”, ka thënë Syla.