Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka bërë një paralajmërim të papritur.
Ai ka thënë se “nëse preket qyteti i Mitrovicës”, në kuadër të një marrëveshjeje mes Kosovës e Serbisë, “do të ketë luftë”.
Këtë deklaratë ai e ka bërë në një tubim për shënimin e 19 vjetorit të masakrës së natës ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, që ndodhi në veri, njofton Klan Kosova.
Komuna e Mitrovicës në bashkëpunim me Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut kanë organizuar një tubim për të shënuar 19 vjetorin e masakrës ku humbën jetën 10 persona dhe janë plagosur 25 të tjerë.
Në këtë akademi përkujtimore kanë marrë pjesë edhe të mbijetuarit e masakrës.
Ndërsa shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se kjo masakër ka qenë e organizuar drejtpërdrejtë nga shteti serb, duke shtuar se është fatkeqësi e madhe që këto krime nuk janë trajtuar ende.