Besnik Berisha është zgjedhur kryetar i ri i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), me katër vota nga anëtarët. Ai u zgjodh kundërligjshëm, meqë kryetari i deritanishëm, Jeton Mehmeti, kishte mandat edhe disa ditë. Berisha njihet për gjuhë linçuese ndaj drejtuesve të mediave. Kritikonte edhe ish-emisarin e SHBA’së në Kosovë, Richard Grenell.
Berisha u zgjodh sot me katër vota për si udhëheqës i KPM’së. Shumica këtë e interpretuan si tentim për ta kapur Komisionin e Pavarur të Mediave në kohën kur po zhvillohet fushata zgjedhore, raporton Insajderi.
Si numri dy i KPM’së u propozua Luljeta Aliu, e cila ishte vetë ajo që propozoi të mbahej mbledhja e jashtëzakonshme për zgjedhjen e kryetarit të ri nëpërmjet një emaili.
Në emailin që kishte siguruar Insajderi, ajo thoshte se mbledhja u ftua në mënyrë që të ketë kuorum. Një fjali ishte qesharake. Ajo për gripin.
“Pas një diskutimi që kishim me kolegër Besnik Berisha dhe Fitim Veliu kemi ardhur në përfudnim se zgjedhja e kryesisë së re duhet të bëhet para se KPM të mbetet pa kuorum, gjegjësisht disa ditë para datës 20 janar për t’u siguruar se ndonjëri nga ne nuk do të jetë me ‘grip’ apo mungojnë për arsye tjera”, thuhet ndër të tjera në emailin që e ka parë Insajderi.
Sido që të jetë, kryetari aktual, njësoj si e propozuara për nënkryetare, është parë e afërt me pushtetin e VV’së. Berisha madje s’ka hezituar të linçojë mediat.
“Egërsia me të cilën sulmohet kryetari i VV-së nga disa ‘analistë’ buron nga frika se do e humbin grazhdin shtetëror”, shkruante Berisha në një postim të tij, të datës 25 janar, 2021, ku e citonte Kim Mehmetin.
Një shkrim tjetër të gjatë, të publikuar më 9 shkurt 2021, pak ditë para zgjedhjeve të 14 shkurtit, ai bënte thirrje indirekt që të votohej partia e Albin Kurtit.
“Le të shpëtojmë veten dhe ata më 14 shkurt nga kjo e keqe të cilën kurrsesi s’po mund ta shohim nga brenda. Ndryshimi do të ua largojë sado pak edhe atyre këtë virus shtet-shkatërrues”, shkruante Berisha.
Berisha në disa postime të tij, e kishte linçuar publikisht Valon Sylën, i cili herë pas herë debaton nëpër studio edhe për ngjarjet politike.
“Shumë ma mirë e kish lujt ky “Xhek Setrën” sesa Naser Rafuna. Mega-primitivizimi i këtij soji që fyen çdo vlerë kombëtare dhe tenton të shuaj çdo shpresë po i bind edhe pjsën e vogël neutrale të shoqërisë se duhet mbështetur shansin e fundit për ndryshimin thelbësor”, shkruante Berisha më 28 janar të 2021-ës.
Berisha ka pasur kritika edhe për dikur emisarin e SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Berisha thoshte se deklaratat e tij do ta çonin deri në 80 për qind në zgjedhje VV’në.
“Richard Grenell dhe Valon Syla kanë bo be që kane me fol derisa ta bijnë VV-në në 80%” shkruante më 3 mars 2021, Berisha.