Kryetari i Vitisë tregon arsyet se pse u shtye përurimi i shkollës dhe çerdhes nga Arbërie Nagavci

12:38 | 08 January 2025
kryetari-i-vitise-tregon-arsyet-se-pse-u-shtye-perurimi-i-shkolles-dhe-cerdhes-nga-arberie-nagavci

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci, kishte planifikuar që sot në komunën e Vitisë të bënte përurimin e dy projekteve, objektin e ri shkollës fillore të mesme të ulët “Halil Alidema” në Pozheran dhe të çërdhes publike në Drobesh.

Por, një gjë e tillë nuk ndodhi pasi përurimi u shtye.

E lidhur me arsyen përmes një komunikate u deklarua kryetari i Vitisë, Sokol Haliti.

Haliti deklaroi se arsye e shtyrjes është se në këto objekte po zhvillohen ende punime.

“Unë si kryetar i komunës, i shoqëruar nga inxhinierët komunalë, kam vizituar këto objekte dhe nga inxhinierët është konstatuar se akoma ishin duke u zhvilluar punime. Më pas, si kryetar i komunës së Vitisë, unë kam njoftuar Ministrinë e Arsimit rreth punimeve të papërfunduara, dhe ata janë pajtuar që përurimi i këtyre objekteve të bëhet pasi të përfundojnë punimet”, tha Haliti.

“Gjithashtu, si kërkesë e imja e vazhdueshme ka qenë që punimet e mbetura të finalizohen sa më parë, që objekti të pranohet teknikisht dhe që nxënësit e këtij vendbanimi të vendosen në bankat shkollore me orar të plotë. Po ashtu, vlen të përmendet që punimet në këtë objekt shkollor kanë filluar që nga viti 2016”, theksoi ai.

“Ndërkaq, lidhur me çerdhen publike në Drobesh të Vitisë, e cila është financuar me buxhetin komunal, ju njoftojmë se do të zhvillohen procedurat e rekrutimit dhe pranimit në punë të stafit përkatës, me qëllim që filizat e rinj t’i pranojmë sa më parë në këtë çerdhe publike”, shtoi në fund Haliti.

Komento: