
Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri ka deklaruar se nuk sheh vullnet dhe interesim të qytetarëve serbë për inicim të peticionit për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore.
Zeqiri madje tha se nuk sheh as ndonjë parakusht për mbajtje të zgjedhjeve, në mënyrë që të njëjtat të dalin të suksesshme.
Kurse i pyetur se a e ka lexuar udhëzimin adminstrativ dhe formën se si është bërë për largimin e kryetarëve, Zeqiri tha se nuk e ka lexuar në detaje, pasi ai tha se përafërsisht e kupton tashmë se deri ku mund të shkohet me këtë udhëzim.
“Pak, nuk kam lexu në detaje të themi kështu meqenëse sa i përket udhëzimit është një shtesë, kurse ne e kemi si me thënë dihet ligji, mirëpo don edhe pak kohë dhe iniciativa qytetare. Të gjitha këto marrin kohë, kështu që nuk më ka interesu shumë me lexu rreth këtij udhëzimi meqenëse unë përafërsisht po e kuptoj deri ku mund të shkohet me këtë udhëzim”, shtoi Zeqiri.
Ndryshe gjatë ditës së djeshme, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ellbert Krasniqi deklaroi se Qeveria dhe Ministria të cilën e udhëheq ai, i kanë kryer të gjitha obligimet ligjore që u mundësojnë qyetatrëve në katër komunat veriore të nisin peticionin për të larguar kryetarët aktual. Por që sipas ministrit, gjithçka tjetër mbetet në vullnetin e vet qytetarëve atje.