Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, në 112 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë ka uruar të gjithë shqiptarët, duke përmendur edhe sfidat me të cilat vazhdojnë të përballen bashkëkombësit në Luginë për shkak të diskriminimit dhe shtypjes sistematike që ata përjetojnë.
Në një postim në Facebook, ajo ka thënë se është e trishtë që shqiptarëve në Serbi u ndalohet përdorimi i flamurit kombëtar.
“Është e trishtë që vetëm shqiptarëve në Serbi u ndalohet përdorimi i flamurit kombëtar, një simbol i shenjtë që përfaqëson identitetin dhe dinjitetin tonë kombëtar”, ka shkruar Sinani.
Tutje, ajo ka theksuar edhe rëndësinë e unitetit në këtë kohë sfidash.
“Duhet të qëndrojmë më shumë se kurrë të bashkuar për të luftuar për të drejtat dhe barazinë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka thënë Sinani.