Kryeziu-Hyseni: Para dialogut urgjente është të flitet për sigurinë e qytetarëve të Kosovës

08:23 | 27 Tetor 2023
kryeziu-hyseni:-para-dialogut-urgjente-eshte-te-flitet-per-sigurine-e-qytetareve-te-kosoves


Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, ka thënë për Front Online se tani nuk është koha të flitet për dialog e as për drafte të statutit të Asociacionit.

Njëjtë sikurse shefi i saj, edhe Kryeziu-Hyseni thotë se urgjente është të flitet për sigurinë e qytetarëve të Kosovës dhe sanksionimin e Serbisë.

“Pra, do të flitet për urgjencën për të diskutuar për siguri në Kosovë dhe për sanksionet për Serbinë përpara çfarë do lloj teme tjetër që mund të jetë në prioritet të shteteve të Bashkimit Evropian ose të përfaqësuesve të BE-së për ta thënë më mirë”, ka deklaruar Kryeziu-Hyseni për Front Online.

Kryeziu-Hyseni, deklaron se po e  thotë këtë për shkak se edhe në këto momente vazhdimisht ka lëvizje të forcave serbe për të organizuar sulme si ai që ndodhi më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

“Prandaj mendojmë se është shumë e rëndësishme që të shohim sa është e sigurt Kosova dhe qytetarët e saj, pas kësaj çfarë ndodhi më 24 shtator dhe për të parë se cili është vullneti i Bashkimit Evropian për ta sanksionuar një shtet i cili në kuadër të një procesi të dialogut që synonte ti qonte vendet drejt normalizimit organizon një sulm terrorist dhe e cenon rëndë sigurinë e qytetarëve tonë”, ka shtuar ajo.

Komento: