Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka thënë se moscertifikimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit, më shumë duket si vendim i motivuar politikisht sesa i bazuar në kritere ligjore.
“Ky rast është një ndër disa raste të tilla, kur KQZ-ja ka marrë vendime të ngjashme, por që më vonë janë ndryshuar apo rrëzuar nga PZAP-ja, çka dëshmon mungesën e koherencës dhe profesionalizmit në punën e këtij institucioni”, ka shkruar Kryeziu në “Facebook”.
Postimi i plotë i Kryeziut:
Edhe pse KQZ-ja përbëhet nga përfaqësues të partive politike, vendimet e saj nuk duhet të jenë të motivuara nga përkatësitë partiake të tyre, por duhet të bazohen në Kushtetutë dhe ligj.
Moscertifikimi i Listës Serbe, duket më shumë si vendim i motivuar politikisht sesa i bazuar në kritere ligjore. Ky rast është një ndër disa raste të tilla, kur KQZ-ja ka marrë vendime të ngjashme, por që më vonë janë ndryshuar apo rrëzuar nga PZAP-ja, çka dëshmon mungesën e koherencës dhe profesionalizmit në punën e këtij institucioni.
Zyra për Regjistrimin e Partive Politike ka rekomanduar certifikimin e këtij subjekti, duke konstatuar se ai i plotëson kriteret ligjore. KQZ-ja do duhej të mbështetet në këtë rekomandim dhe udhëzimet e institucioneve tjera dhe të veprojë në përputhje me ligjin. Nuk duhet të ngatërrohen qëndrimet politike apo deklaratat individuale të anëtarëve të një partie me kriteret për certifikim. Nëse kjo praktikë do të zbatohej për të gjitha partitë, atëherë shumë prej tyre nuk do të duhej të certifikoheshin.
Për më tepër, nëse institucionet përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme, kanë kaluar të gjithë këta kandidatë nëpër filtrat e nevojshëm për t’u certifikuar, atëherë KQZ-ja nuk duhet të ndërhyjë me një vendim mbi kriteret dhe vlerësimet që janë kompetencë e këtyre institucioneve.