11 shtetas të Kosovës kthehen nga zonat e konfliktit në Siri.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se sot kanë kthyer 11 shtetas të Kosovës që ishin nga zonat e konfliktit në Siri.
Sveçla ka thënë se: “Kosova është krenare që është lider global në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit”.
“Sot, ne kemi kthyer 11 shtetas të Kosovës nga zonat e konfliktit në Siri. Duke i kthyer këta persona, ne jemi duke ushtruar përgjegjësinë tonë, jo vetëm ndaj qytetarëve tanë, por edhe si anëtarë të Koalicionit Global për të mposhtur ISIS-in”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.
Tutje, ministri ka pohuar se Kosova gjithmonë do të jetë shtëpia e qytetarëve të saj.
“Ata të cilët kanë kryer krime, këtu apo jashtë, do të ndiqen penalisht. Gruaja dhe fëmijët që kemi kthyer sot kanë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen tonë”, thotë ministri.
Tutje, ai ka thënë se “ne kërkojmë nga të gjithë që të respektojnë privatësinë e tyre në ditët, javët dhe muajt në vazhdim”.
“Ata kanë dhe meritojnë të kenë kohën dhe hapësirën e nevojshme që të adaptohen. Qeveria jonë është duke i ndihmuar që të kthehen në familjet e tyre, në mënyrë që ata të riintegrohen në rrethin e tyre. Ne nuk do të ndalemi së shërbyeri qytetarëve tanë”.
Ndryshe, që nga shpërthimi i konfliktit në Siri dhe Irak, rreth 400 kosovarë udhëtuan drejt Sirisë, në mesin e tyre, burra, gra dhe fëmijë. Nga ky numër, përgjatë viteve 242 persona u kthyen në Kosovë.
Nga të kthyerit 124 janë burra, 38 gra dhe 80 fëmijë. Ndërsa rreth 100 kanë vdekur atje. Në muajin prill të vitit 2019, Kosova u bë ndër vendet e para në botë që riatdhesoi numër aq të madh të qytetarëve që ishin të përfshirë në luftën e Sirisë.