Kthimi i tifozëve në stadiume, presidenti i UEFA-s jep lajmin e madh

14:25 | 20 May 2020

Aleksander Ceferin: Tifozët do të kthehen në stadiume së shpejti.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, beson se tifozët do të kenë mundësi të kthehen së shpejti në stadiume për t’i përkrahur ekipet e tyre të zemrës, përkundër kaosit në të cilin është futur bota e futbolli shkaku i pandemisë Covid-19.

Garat e klubeve dhe ekipeve kombëtare kanë qenë të pezulluar pothuajse kudo në botë që nga mesi i marsit për shkak të krizës së shkaktuar nga Covid-19, transmeton express.

Në mesin e garave të suspenduara është edhe Kampionati Evropian, që u shty nga kjo verë në verën e vitin 2021.

Ndërkohë, Bundesliga rinisi gjatë fundjavës dhe shumë liga të tjera të mëdha evropiane janë duke u përgatitur për rinisjen e ndeshjeve, të cilat megjithatë do të zhvillohen prapa dyerve të mbyllura.

Por, presidenti i UEFA-s ka paralajmëruar se kjo gjë mund të ndryshojë së shpejti.

“Jam absolutisht i sigurt, personalisht, që futbolli i mirë e i vjetër, me tifozë në stadium, do të kthehet shumë shpejt”, ka thënë Ceferin.

“Futbolli nuk ndryshoi pas Luftës së Dytë Botërore, ose pas Luftës së Parë Botërore, dhe nuk do të ndryshojë as për shkak të virusit”.

Kur u pyet se a do t’i kishte vënë një milion dollarë se Kampionati Evropian do të zhvillohet verën e ardhshme, Ceferin tha: “Po, do t’i vija bast. Nuk e kuptoj pse mund të mos zhvillohet. S’mendoj se virusi do të zgjasë përgjithmonë”.

“Mendoj se situata do të ndryshojë më shpejt sesa që mendojnë shumë njerëz. Nuk më pëlqen kjo perspektivë apokaliptike që ne do të duhet të presin për valën e dytë apo të tretë, apo edhe të pestë”.

Komento: