
Urat e bashkëpunimit që i ndërtoi me Lëvizjen Vetëvendosje në vitin 2021 iu dobësuan Vjosa Osmanit, e cila la Lidhjen Demokratike të Kosovës për të formuar një parti të re e për të hyrë në koalicion me partinë e Albin Kurtit. Tash kur posti i Presidentit u kthye në një përplasje me partinë në pushtet, rikthimi në LDK ka filluar të diskutohet. Për këtë çështje, Osmani s’po kundërshton ashtu siç po bën edhe vetë partia.
“Do të bëj atë që është në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.
Këtë frazë e ka përsëritur shpesh presidentja Vjosa Osmani sa herë që është pyetur për të ardhmen e saj politike pasi të përfundojë mandati i saj në krye të shtetit. Këtë përgjigje e kishte dhënë edhe në kohën kur shpresonte në mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e saj presidente prapë. Por, tashmë kur kjo parti e la jashtë kandidaturën e saj dhe e propozoi Glauk Konjufcën, Osmani mbrëmë në një intervistë e bëri deklaratën e njëjtë, por se tash duket që ka shpresa se të ardhmen e sheh në ish-partinë e saj, Lidhjen Demokratike të Kosovës.
E pyetur nëse e ka opsion rikthimin në LDK, Osmani sërish tha se do ta masë me interesin që do të ketë Republika me këtë vendim të saj, por shtoi se edhe zhvillimet e ardhshme politike do ta përcaktojnë këtë.
“Do ta shoh se cili është interesi më i madh i Republikës së Kosovës në këto momente. Kjo do të determinohet edhe nga zhvillimet e tanishme”, tha ajo duke përmendur masën e përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese dhe vendimin që pritet të marrë ajo për kontestimin e dekretit të saj për shpërndarjen e Kuvendit nga Vetëvendosja në gjykatë.
“Unë do ta kryej detyrën time me nder si Presidente deri me datën 4 prill. Pas kësaj, do ta bëj një vlerësim të ri se çka në momentin konkret është në interes të Republikës së Kosovës. Në bazë të këtij dhe vetëm këtij kriteri do ta marr vendimin për rrugën përpara”, tha Osmani.
Në pyetjen nëse do të jetë aktive pas kësaj date, Osmani shtoi: “Do të shoh mundësinë më të mirë që ta ndihmoj Republikën që të ecë përpara. Se cila do të jetë ajo mundësi varet shumë nga rrethanat. Politika nganjëherë është e paparashikueshme, thjesht duhet ta japim kontributin tonë me tërë qenien tonë dhe ta kemi interesin e vendit si parësor. Kjo është më e rëndësishmja”.
Sinjale ka pasë edhe nga vetë Lidhja Demokratike e Kosovës se nuk do të kundërshtojnë rikthimin e Vjosa Osmanit aty. Shefja e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Jehona Lushaku, ishte pyetur nga gazetarët nëse presidentja aktuale do të kthehej të garonte me LDK-në nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, Lushaku ishte përgjigjur: “Krejt këto i takojnë të ardhmes”.
Ndërkohë, vetë kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka qenë ndër mbështetësit kryesorë nga opozita të vendimeve të fundit të Osmanit në ngërçin e ri politik që u krijua për situatën me zgjedhjen e Presidentit. Më 5 mars, para nisjes së votimit për Presidentin edhe ai u pyet për kthimin e Osmanit në LDK.
“Këto çështje gjithmonë diskutohen në një të ardhme shumë të afërt. LDK asnjëherë nuk ka pasë qëndrim refuzues ndaj Osmanit edhe për këtë proces”, tha ai.
Derisa në një iftar të shtruar në Lipjan, Osmani u dëgjua t’iu fliste të pranishmëve për rëndësinë e urave të bashkëpunimit.
“Me lënë ura të komunikimit se kurrë s’i dihet, prapë përfundojmë me ni tavolinë si na sot. Me qetësi, me dashuri me sinqeritet, me respekt. S’ka nevojë me i thy tona urat e bashkëpunimit”.
Osmani kishte ndarë rrugët e saj me LDK-në në shtator të 2020-ës për shkak të mospajtimeve që kishte me partinë për bashkëqeverisjen me Lëvizjen Vetëvendosje asokohe. Derisa për LDK’në dhe kthimin e saj aty s’dha qartësi, ajo mbrëmë teksa po fliste për ndarjen binomit “Kurti -Osmani”, u kujdes ta përmend prijësin e dikurshëm të kësaj partie , Ibrahim Rugovën. Në këtë pikë, ajo përmendi se institucionin e Presidentit “e ka ndërtuar Ibrahim Rugova”.
“Pra, dallimet në mendime do të duhej të ishin normale në demokraci. Po e them sërish, këtë institucion e ka ndërtuar presidenti Ibrahim Rugova si institucion të fortë, si institucion që e mbron demokracinë, si institucion që e mbron Kushtetutën dhe si institucion që i mbron aleancat, e në veçanti aleancën e shenjtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë e kam bërë dhe si të tillë do ta lë më 4 prill”, tha ajo./Syri TV