
Gjesti, emri i vërtetë i të cilit është Besart Kelmendi, mund të përballet me masën e paraburgimit, pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dorëzuar në Gjykata Themelore në Prishtinë kërkesë për caktimin e kësaj mase ndaj këngëtarit.
Kelmendi u ndalua të mërkurën nën dyshimin për tri vepra penale: “Armëmbajtje pa leje”, “Kanosje” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”. Lajmi për dorëzimin e kërkesës për paraburgim është konfirmuar për mediumin Betimi për Drejtësi nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Sipas burimeve të këtij mediumi, e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pranë zyrave të studios muzikore Onima në Prishtinë. Dyshohet se shkak i incidentit ka qenë një mosmarrëveshje rreth një borxhi paraprak.
Sipas këtyre pretendimeve, këngëtari dyshohet se ka shkuar me armë në dorë në zyrat e studios duke kërkuar një person me inicialet E.Sh. Burimet thonë se ai iu është drejtuar stafit me fjalët: “Ku o se kam me vra”.
Meqenëse nuk e kishte gjetur personin që po kërkonte, dyshohet se në shenjë revolte për mosmarrëveshjen rreth pagesave të borxhit, këngëtari ka dëmtuar inventarin e studios, duke thyer kompjuterë, tavolina dhe xhama, çka ka shkaktuar edhe dëm material.
Po sipas këtyre burimeve, kur në vendin e ngjarjes kanë arritur zyrtarët e Policia e Kosovës, këngëtari është gjetur me armë në dorë, e cila më pas është sekuestruar nga policia.
Ndërkohë, seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit pritet të mbahet nesër në orën 09:30 në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Prokuroria ka bërë të ditur se Gjesti është ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tij rëndojnë dyshimet për veprat penale: “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas nenit 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Kanosja” sipas nenit 181, si dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” sipas nenit 321.
“Personi i ndaluar është i njohur për opinionin publik si këngëtari Gjesti. Prokurori i Shtetit, në koordinim dhe bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale në lidhje me këtë rast”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
