“Ku i ki djemtë në UÇK?”, dëshmitari thotë se u ndalua në kolonë kur po iknin nga shtëpitë më 1999 dhe se Pantiqi e mori në pyetje

15:56 | 27 Janar 2026
“ku-i-ki-djemte-ne-uck?”,-deshmitari-thote-se-u-ndalua-ne-kolone-kur-po-iknin-nga-shtepite-me-1999-dhe-se-pantiqi-e-mori-ne-pyetje

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj dy të akuzuarve për krime lufte, Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, të martën është dëgjuar dëshmitari i Prokurorisë, Haxhi Beqiraj. Ai deklaroi se policia serbe, ku bënte pjesë edhe i akuzuari Pantiq, e ndaluan derisa ishte në kolonë kur po largoheshin nga shtëpitë më 1999 dhe e pyetën se ku i kishte djemtë.

Dëshmitari Beqiraj, para trupit gjykues dëshmoi se si u detyruan t’i lëshonin shtëpitë e tyre në pranverën e vitit 1999, ku edhe ishin maltretuar nga policia serbe, ndërsa përmendi edhe maltretimet që u ishin bërë nga viti 1989.  Dëshmitari tregoi se kishin filluar të dilnin nga shtëpitë e tyre kur dëgjuan se po rrethoheshin e do të vriteshin të gjithë, ndërsa theksoi se ai ishte me një traktor kur edhe e kishte takuar të akuzuarin Pantiq.

“Kemi fillu me dalë, se na kanë thanë kanë me ju rrethu me ju mbytë. Kur kemi dalë në qëndër u kanë Momiri, u kanë i veshun në tesha të larme, ky u kanë shef i policisë, ka pas traktora mas meje- edhe më ka ndal i pari edhe më ka marrë në pyetje edhe ka thanë ku i ki djemtë në UÇK”, tha Beqiraj.

Ai theksoi se pas dëbimit të civilëve nga shtëpitë e tyre, shtëpia e tij dhe e dy vëllezërve të tij ishin djegur. Tha se aty kishte foca të shumta serbe, ndërsa shef kryesor i tyre ishte i akuzuari Pantiq.

“Shtëpia jeme, shtëpia e dy vëllezërve janë kanë tu u djegë, ky u kanë përgjegjës, ky e di kush u kanë. Shefi kryesor u kanë ky. Ushtri s’ka pasë, vetëm policë ka pasë, s’janë kanë njëzet metra që s’ka pasë polic”, shtoi Beqiraj.

Beqiraj tregoi edhe për momentin kur ishte ndaluar aty nga policia serbe dhe përmendi Millosh Stojkoviqin, i cili, dëshmitari tha se e kishte goditur me shuplakë.

“M’ka ra shuplakë, më tha këta e ki dhuratë prej meje që mos me m’harru kurrë”, tha Beqiraj.

Ndërsa, i pyetur nese kishte të vrarë, dëshmitari e pohoi këtë duke theksuar se aty në vendngjarje ishte edhe i akuzuari Pantiq

“Po janë vra, janë diku 11 të masakrun aty në breg. Atë ditë kanë ndodhë, ky u kanë aty”, tha Beqiraj.

Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ish-kryeshef i stacionit policor në Istog, Momir Pantiq dhe ish-polici Zharko Zariq, ngarkohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

Sipas aktakuzës, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, më datën 19 maj 1999 në fshatin Dubravë, saktësisht në burgun e Dubravës pas bombardimeve të NATO-s ku si pasojë kishin mbetur të vrarë 3 të burgosur shqiptarë, Pantiq si kryeshef i stacionit policor bashkë me forcat policore serbe kishin shkuar për të marrë kontrollin e situatës dhe pasi pushuan bombardimet në përbërje edhe të gardianëve kanë hyrë në dhomat e të burgosurve dhe kanë ushtruar dhunë sistematike, duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.

Në aktakuzë thuhet se bombardimet e NATO-s kanë vazhduar edhe më 21 maj, ku mbetën të vrarë 18 të burgosur shqiptarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Ndërsa, një ditë pas në mëngjes gardianët, të burgosurit, serbë të armatosur bashkë me forcat policore dhe Njësitë Speciale të cilët gjendeshin nën komandën e Stacionit Policor në Istog, fillimisht i kanë mbledhur të burgosurit shqiptarë në fushën e sportit dhe më pas, siç thuhet në aktakuzë filluan të gjuajnë me armë zjarri të llojeve të ndryshme, kurse nga mbrapa murit të burgut kanë gjuajtur me bomba në drejtim të burgosurve shqiptarë.

Gjithmonë, duke iu referuar aktakuzës, forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e Pantiqit po ashtu, kidnapuan një civil shqiptar me pseudonimin “A1”, të cilin e dhunuan seksualisht. Përveç viktimës “A1”, në aktakuzë përshkruhet dhunimi i një viktime tjetër- “B1”. Dy të pandehurit, po ashtu akuzohen për vrasje të disa familjeve në Komunën e Istogut./BetimipërDrejtësi/

Për të lexuar akuzën e plotë klikoni KËTU 

Komento: