‘Afera e fajdeve’.
Disa video të fajdeve e mashtrimit tregojnë se 7 vjet më parë ka mjaftuar të permendet Kadri Veseli që biznesmenëve t’u merren qindra mijëra euro të emër të tij. Por, çfarë bënte Veseli në gjatë kohës kur nuk ishte pjesë e politikës?
Në serinë e videove të publikuara nga KTV’ja për aferën e fajdeve vazhdimisht dëgjohet emri i kryeparlamentarit Kadri Veseli, që në vitin 2012 ai veç sa ishte bërë zyrtarisht pjesë e PDK’së.
Rrahim Hashimi, i cili po akuzohet për fajde dhe mashtrim, në këto video shihet se i ka marrë shuma të mëdha parash biznesmenit Faton Dalladaku, duke i premtuar se Kadri Veseli do t’ia mundësojë të ndërtojë një spital privat të zemrës në oborrin e QKUK’së.
Hashimi, sipas videove, del që i ka marrë paratë Dalladakut bashkë me një ndërmjetësues tjetër, Kadri Rexhepin nga Ferizaj, e ata vazhdimisht thonë se paratë po ia jepnin Kadri Veselit.
“Kadri Veseli i ka marrë 200 mijë euro”, dëgjohej duke thënë në njërën nga videot Rexhepi.
Kryeparlamentari Veseli ka mohuar se njeh protagonistët e këtyre incizimeve, duke thënë se po përdoret emri i tij për ta njollosur atë. Të enjten ai ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ‘mashtruesve’.
Krejt këto video janë incizuar në vitin 2012, në zyrën e biznesmenit Dalladaku, ku Hashimi dhe Rexhepi i përcillnin fjalët që thonin se u ka thënë Veseli.
Por, kush ishte Kadri Veseli shtatë vjet më parë?
Kreu i tanishëm i PDK’së deri para pak vjetësh konsiderohej figurë mitike. Për të flitej shummë ndërsa rrallëherë ishte parë.
Ish-shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës u pa vetëm njëherë në paraqitje publike. Në vitin 2008 doli e tregoi se SHIK’u kreu misionin e tij dhe se do të shuhej pasi Kosova shpalli pavarësinë.
Që nga viti 2008, për Veselin flitej edhe në Kuvend, studio televizive, zakonisht nga njerëz të LDK’së, e më vonë edhe nga PDK’ja. SHIK’u i Veselit i vihej gishti për vrasje e krime të pasluftës.
Ai u shfaq sërish në nëntor të 2012’ës për t’u anëtarësuar zyrtarisht në PDK’në që thuhej se e kishte në dorë që nga themelimi i saj.