Ku mbetën premtimet e Haradinajt për liberalizimin e vizave?

23:19 | 08 August 2019

Liberalizimi i vizave për Kosovën vazhdon të mbetët ҫështje e pazgjidhur.

Vizat, ishin premtimi më i shpeshtë që Haradinaj e dha për gati dy vjet sa qëndroi si kryeministër i vendit.

Liberalizimi i vizave ishte edhe një nga premtimet më të mëdha elektorale të të gjitha partive politike në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017, por edhe të kryeministrit Haradinaj edhe pas marrjes së postit.

“Vizat do të liberalizohen shumë shpejtë”, “Qytetarët e Kosovës do të lëvizin shumë shpejt pa viza”, ishin fjalët e shpeshta që dëgjuam nga kryeministri në dorëheqje Haradinaj gjatë vitit 2018 në krye të qeverisë.

Por, viti 2019 u dha hov këtyre premtimeve dhe kryeministri në dorëheqje – kur filloi edhe me dhënien e datave se kur do të ndodh liberalizimi i vizave.

Haradinaj, vetëm gjatë majit, 3 herë uroi liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Urime edhe sot edhe çdo ditë. Tani kemi hyrë në fazën implementuese. Mendojmë që me qëndrimin e qeverisë gjermane është një moment kthese, jemi në proces të zbatimit, hyrja në agjendë është me rëndësi, duhet ta koordinojmë hyrjen në agjendë, tash kryesimin e KE-së e ka Rumania, prej 1 korrikut e merr Finlanda, nuk mendoj që në qershor do ta kemi vendimin, është herët me kohë, por jemi në proces, mendoj më shumë që në vjeshtë do ta kemi lajmin e mirë”, deklaroi Haradinaj kur për herë të tretë brenda 3 javësh uroi liberalizimin.

Por, nuk përfundoi këtu. Haradinaj përsëri në fund të majit deklaroi se liberalizimi i vizave është çështje e javëve.

“Është çështje javësh kur Kosova do të marr lajmin për vlerësimin e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave”, tha Haradinaj.

Në qershor, Haradinaj u tregua më pak optimist për vizat duke thënë se “është bërë vështirë t’u besohet ndërkombëtarëve për vizat”, por kjo nuk e ndaloi të jepte një datë të re.

“Ka gjasa reale që vendimi për vizat të merret deri në muajin shtator, pasi nuk do të kishte logjikë që këshilli i ministrave të Bashkimit Evropian ta vonojë këtë edhe më shumë”, deklaroi Haradinaj.

Ndërsa në korrik, Haradinaj e shtyu edhe pak datën e liberalizimit të vizave, nga shtatori në janar të vitit 2020.

“Kam folur me kryeministrin e Polonisë, plot njerëz vendimmarrës. Askush nuk është kundër. Është shumë reale, tash e tutje prej shtatorit, çdo javë mund ta marrin vendimin”, tha Haradinaj.

Ndërsa pak ditë para dorëheqjes, Haradinaj tha se vizat nuk janë larg, por kësaj radhe u rezervua sa i përket datës.

“Iu siguroj që vizat nuk e kemi larg që t’i marrim. Sot e kemi pasur ministrin e Shëndetësisë të Gjermanisë, Jens Sphan. Kam biseduar edhe me të për këtë temë. Jemi duke punuar, nuk është larg dita e marrjes së vendimit për vizat. Nuk është e lidhur me taksën”, tha Haradinaj.

Këto e shumë “urime” të tjera të Haradinajt nuk mjaftuan që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm.

Liberalizimi i vizave nuk ndodhi dhe kjo çështje tani nuk është as në diskutim, ani pse, Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për të marrë konfirmimin për liberalizim të vizave.

Komento: