Po kërkohet zbardhja e “avullimit” të 50 milionë markave që humbën pas përfundimit të luftës.
Bujar Bukoshit, Naser Osmanit, Atdhe Gashit e Isa Mustafës po u kërkohet të japin llogari për 50 milionë markat e mbetura pas përfundimit të luftës dhe zbardhjen se si u shit Dardania Bankë e cila operonte në Shqipëri.
Llogari në emër të shqiptarëve që kanë dhënë marka për Fondin e Trepërqindëshit po kërkon një aktivist i LDK’së në Gjermani. Ai është Haviz Gagica.
Haviz Gagica, një aktivist i LDK’së në Gjermani, i afërt me Familjen Gërvalla, ka nisur një betejë të re për të zbardhur se ku përfunduan 50 milionë markat gjermane të Fondit të Trepërqindëshit dhe Dardania Bankë, e cila kishte selinë në Tiranë.
Ai ka treguar se në vitin 2013 kishin bërë kallzim penal në Prokurori vendore dhe ndërkombëtare për t’i zbardhur këto mjete që kishin tepruar nga lufta.
“…kanë ngritur aktpadi pranë organeve të drejtësisë përmes të cilës kanë kërkuar ta dinë të vërtetën, se ku dhe si janë shpenzuar të gjitha mjetet e grumbulluara në atë Fond. Aktpadia, pos organeve kosovare të drejtësisë i është dorëzuar edhe të EULEX-it, por paraprakisht edhe organeve të drejtësisë gjermane, aty ku janë grumbulluar ndihmat si dhe mjetet financiare, me dyshimin e bazuar se djersa e tyre është shpërdorur!”, ka treguar Gagica, shkruan Gazeta Express.
Para një jave është publikuar lajmi se para dy vitesh ishte ngritur aktakuza ndaj Bujar Bukoshit, Ardhe Gashit e Naser Osmanit. Ishte mbajtur e fshehur dhe s’kishte pasur kurrëfarë njoftimi për nisjen e procesit.
Prokuroria akuzon këta tre zyrtarë se kanë keqpërdorur 150 mijë euro, duke u bazuar në tërheqjen e mjeteve që kanë bërë viteve të fundit nga llogaria e Fondit, e cila ishte me emrin UFORK.
Haviz Gagica ka kërkuar zgjerimin e hetimeve dhe përfshirjen e autoriteteve europiane dhe gjermane për të ndihmuar në zbardhjen e fakteve se ku kanë shkuar milionat dhe pronat e Trepërqindëshit.
“Megjithatë, duam të besojmë se në një të ardhme të afërme, organet e drejtësisë në Kosovë, në koordinim të plotë me institucionet relevante të drejtësisë në Gjermani si dhe ato evropiane, do të veprojnë në harmoni me interesin shtetëror, që sa më para të zbardhen faktet, se për çfarë destinimesh janë shfrytëzuar të gjitha mjetet e Fondit të Republikës së Kosovës!”, thotë Gagica, i cili pretendon se përfaqëson një grup qytetarësh që kanë dhënë marka për Fondin e themeluar nga LDK’ja.
Aktakuza për Fondin e 3% ishte ngritur nga prokurori Faik Selimi i cili u pensionua vitin e kaluar. Më pas kjo lëndë kaloi tek prokurori Atdhe Dema.
E ngritjen e aktakuzës e ka konfirmuar edhe Bujar Bukoshi. Ai për Express ka konfirmuar se ka nisur procesi gjyqësor. Ka refuzuar të flasë më shumë duke këshilluar që të kontaktohet avokati i tij, Besnik Berisha.
Ky i fundit nuk ka dhënë detaje rreth procesit, mirëpo thotë që nuk e ka përfaqësuar Bukoshin në asnjë seancë në Gjykatë.
Bujar Bukoshi aktualisht s’ka asnjë funksion publik përveçse është në rehabilitim nga një sëmundje e rëndë. Ndërsa, Naser Osmani është deputet i LDK’së i cili para disa ditësh u shpall i pafajshëm për një akuzë tjetër për privatizim.
Hetimet ndaj tre të akuzuarve për Fondin e Trepërqindëshit kishin nisur në vitin 2016 kur ishte raportuar se viteve të fundit ishin tërhequr rreth gjysmë milioni euro të Fondit.
Pasluftës, ish-Ministri i Financave, Isa Mustafa, kishte thënë se kanë tepruar rreth 50 milionë marka.
Fondi i Tre pëqindëshit ishte themeluar nga Qeveria e Bujar Bukoshit që kishte vepruar jashtë Kosovës para luftës. Një pjesë e atyre fondeve ishin përdorur për t’i paguar mjekët, profesorët e mësuesit në institucionet paralele.
Problemi i fondeve të paraluftës ishte trajtuar edhe në Zona Express. Aty, ishte cituar një raport ku tregoheshin sa mjete ishin mbledhur nga Fondi i Tre përqindshit.
Deri më tash s’ka pasur asnjë raportim transparent për këtë fond por edhe për fondin tjetër Vendlindja Therrët i themeluar nga ish-udhëheqësit e UÇK’së, për të cilin ishin përplasur ditë më parë Anton Quni e Xhavit Haliti.