Kufiri Kosovë-Serbi, planin e Thaçit nuk po e kupton as Shpend Ahmeti – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Kufiri Kosovë-Serbi, planin e Thaçit nuk po e kupton as Shpend Ahmeti

19:24 | 09 Shkurt 2019

Deklaratat e Thaçit nuk po mund t’i shpjegojë as Shpend Ahmeti, i cili është bashkëudhëheqës i Ekipit Negociator.

Pak ditë pasi në Amerikë tha se “nëse një korrigjim i lehtë i kufirit është çmimi për marrëveshje përfundimtare me Serbinë, kjo do të duhej të jetë e pranueshme”, Presidenti Thaçi është deklaruar ndryshe në Prishtinë.

Ai tha se zyrtarizimi i kufirit me Serbinë duhet bëhet me procedurën e njëjtë si në rastin me Malin e Zi, raporton KTV.

Mirëpo, komisioni shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e vijës kufitare kishte konstatuar se në demarkacionin me Malin e Zi, Kosova kishte humbur territor.

Sipas kryetarit të këtij komisioni, Shpejtim Bulliqi, Presidenti me këtë deklaratë e ka pranuar që shtetit malazias i është dhënë territor.

“Por, nëse është diçka e tillë, atëherë qenka mirë, sepse për herë të parë publikisht pranohet që është dhënë territor dhe ka pasur kompromis me Malin e Zi, çështje për të cilën kemi diskutuar gjatë”, ka thënë Bulliqi.

Vitin e kaluar, komisioni ka nisur grumbullimin e materialeve të nevojshme për demarkimin e kufirit me Serbinë, sipas kufijve aktualë të të dyja shteteve.

Bulliqi thotë se kompetencë e tyre është vetëm gjetja e vijës kufitare administrative me shtetin serb, edhe jo ndryshimi i kufirit.

“Me Serbinë, sikurse me shtetet e tjera fqinje, është mirë të bëhet demarkimi dhe jo të futemi në këtë fazë në proces të delimitimit, sepse çdo futje në këtë proces mund të shkaktojë tensione dhe probleme të cilat pastaj mund të jenë të pariparueshme dhe mund të nxisin konflikte të reja në Ballkan”, u shpreh Bulliqi.

Deklaratat e Thaçit nuk po mund t’i shpjegojë as Shpend Ahmeti, i cili është bashkëudhëheqës i Ekipit Negociator të Kosovës për dialogun me Serbinë.

Ai ka thënë për KTV-në se nuk e di çka po nënkupton presidenti me demarkim, derisa ka shtuar se një gjë e tillë nuk është përmendur asnjëherë dhe se kjo nuk është pjesë e temave në dialog.

“Nuk e di çka po nënkupton me demarkim. Nuk është përmendur asnjëherë një gjë e tillë dhe nuk është pjesë e temave në dialog”, ka thënë Ahmeti për KTV-në.

Korrigjimi i kufirit apo shkëmbimi i territoreve, sipas profesorit Mazllum Baraliu, është kundërkushtetues.

Ai thotë se përfaqësuesit shtetërorë duhet të kenë shumë kujdes kur deklarohen në mënyra të ndryshme për këto çështje.

Në anën tjetër, Kryeministri Ramush Haradinaj vazhdimisht ka kundërshtuar korrigjimin e kufirit me Serbinë, duke e konsideruar si ide të rrezikshme dhe luftënxitëse.

Komento: