Kujdes! Erëra të forta nga dita e mërkurë e deri të premten, priten dëme materiale

21:38 | 19 November 2024
kujdes!-erera-te-forta-nga-dita-e-merkure-e-deri-te-premten,-priten-deme-materiale

Gjatë këtyre ditëve kemi përpara dy qendra të thella me presion të ulët atmosferik apo dy fronte të fuqishme, të cilat do të shkaktojnë edhe destabilizim të fuqishëm të motit. E para parashihet të arrijë në orët e mbrëmjes të së mërkurës, ndërsa fronti i dytë në mbrëmjen e së premtes.

Nën këto kushte, këto qendra të thella do të sjellin edhe fuqizim në parametrin e erës, në pjesën më të madhe të kohës do të fryjë kryesisht nga drejtimi i jugut dhe jugperëndimit, ndërsa gjatë kalimit të frontit do të zhvendoset nga drejtimi i veriut, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi deri në 85 km/h, ndërsa në zonat e larta malore edhe mbi 100 km/h. Dita e premte mbetet më aktive për nga erërat, ndërsa si pasojë e shpejtësisë jashtëzakonisht të lartë, priten edhe dëme materiale.

Përndryshe, dita e mërkurë do të karakterizohet me diell e vranësira, ku gjatë pasditës dhe mbrëmjes pritet shtim i vranësirave dhe intensifikim i reshjeve, të cilat lokalisht do të jenë në formë të rrebesheve, të shoqëruara me ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.

Pra, reshjet fillimisht do të nisin në formë të shiut, ndërsa me ardhjen e frontit të ftohtë në mbrëmje, pritet të shndërrohen në ato të borës, të cilat pas mesnate, pritet të përfshijnë një pjesë më të madhe të vendit. Në mëngjes pushojnë të reshurat.

Dita e enjte do të vazhdojë me vranësira të shpeshta dhe intervale me diell. Vonë në mbrëmje, gradualisht do të kemi rikthimin e reshjeve të shiut, kryesisht të përqëndruara në Rrafshin e Dukagjinit. Reshjet në formë të shiut do të jenë si pasojë e masave të ngrohta dhe fuqizimit të erërave nga drejtimi i jugperëndimit.

Të premten, mot i vranët dhe fillimisht me reshje shiu, ndërsa gjatë orëve të pasditës dhe mbrëmjes, do të arrijë fronti i ftohtë, ku reshjet e shiut do të shndërrohen në ato të borës në pjesën dërrmuese të vendit, sidomos pas mesnate. Reshjet para ose/dhe gjatë kalimit të frontit të ftohtë, pritet të shoqërohen edhe me ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.

Të shtunën, pas reshjeve të borës gjatë orëve të para të 24-orëshit, dita do të vijojë me diell e vranësira të pakta por mjaft e ftohtë, si pasojë e masave të ftohta me origjinë polare. Temperaturat pritet të ulen rreth -10°C, ndërsa maksimalet rreth vlerës 0°C.

Edhe dita e diel në aspektin termik parshihet pak a shumë të jetë e ngjashme, ndërsa moti do të karakterizohet me diell.

Temperaturat minimale do të lëvizin prej -10 deri në 7°C, ndërsa ato maksimale prej 1 deri në 16°C. Vlerat më të larta maksimale parashihen të mërkurën dhe të premten, ndërsa më të ulëta të enjten dhe në fundjavë. /MeteoKosova/

Komento: