Kujdes, gripi i derrave ende i pranishëm në Kosovë

09:31 | 15 April 2019

Gripi i derrave është ende i pranishëm në Kosovë.

Përpos gripit të derrave, për gjashtë muaj në Kosovë afër 55 mijë qytetarë kanë qenë të prekur edhe nga gripi sezonal.
Tetë persona gjatë këtij viti kanë vdekur si pasojë e prekjes nga gripi i derrit, prej të cilit ka edhe persona të tjerë që vazhdojnë të jenë të prekur. Edhe pse është raportuar se ka persona të prekur me gripin A H1N1, i cili njihet edhe si grip i derrave, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë nuk ka dhënë informata për numrin e të prekurve. Përpos gripit të derrave, për gjashtë muaj në Kosovë afër 55 mijë qytetarë kanë qenë të prekur edhe nga gripi sezonal, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Tetë persona gjatë këtij viti kanë vdekur si pasojë e gripit të derrit, derisa ka pasur edhe persona të tjerë të cilët kanë qenë të prekur nga ky grip. Njëra nga viktimat e fundit nga ky grip ka qenë nga komuna e Gjakovës. Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, ka thënë për “Zërin” se një paciente 35-vjeçare gjatë muajit mars të këtij viti ka qenë e prekur me gripin e derrit, e cila, siç ka thënë ai, nga ky spital ishte transferuar në Klinikën Infektive në Prishtinë, ku një ditë më pas edhe ka vdekur.

Asllani ka thënë se gjatë muajit mars edhe një person tjetër nga Gjakova është prekur me gripin e derrit.

“Ne e kemi pasur edhe një pacient, një punëtor yni, i cili gjatë muajit të kaluar ka shkuar me udhëzim të spitalit në Klinikën Infektive, ku ka qëndruar dy javë. Aty është rezultuar se ka pasur grip sezonal ose të derrit. Ai ende është me terapi, por gjendja është më e mirë. Ende nuk ka dalë në punë me rekomandim të mjekëve të Infektives në Prishtinë. Një paciente që ka vdekur, 35-vjeçare, ka qenë më datën 17 te ne, e cila pastaj është dërguar në Qendrën Emergjente në Prishtinë dhe prej aty është transferuar në Klinikën Infektive, ku të nesërmen ka vdekur. Sipas tyre, është vërtetuar që ka pasur edhe grip të derrit”, ka thënë ai, për “Zërin”.

“Zëri” ka kërkuar informata sa i përket gripit të derrit edhe në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), por të cilët kanë dhënë statistika përgjithësisht për personat të cilët kanë qenë të prekur me influencën “A”. Përndryshe gripi i ashtuquajtur i derrave është një sëmundje akute e rrugëve të frymëmarrjes, i shkaktuar nga viruse gripale të tipit “A”, që origjinën e ka nga derrat.

Komento: