
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se do të ketë bllokime të përkohshme të qarkullimit rrugor në segmentin që kalon nëpër fshatin Kastrat të Kurshumlisë, në Serbi, për shkak të aktiviteteve të paralajmëruara nga banorët lokalë.
Sipas njoftimit, nesër, më 24 dhjetor 2025, qarkullimi në këtë segment rrugor do të bllokohet nga ora 11:50 deri në ora 15:50. Bllokime të tjera janë parashikuar më 27 dhjetor 2025, nga ora 11:52 deri në 18:52, si dhe më 3 janar 2026, kur qarkullimi do të ndërpritet nga ora 09:00 deri në ora 24:00.
MPJD i bën thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët planifikojnë udhëtime drejt vendlindjes apo tranzit nëpër këtë segment rrugor, që të planifikojnë me kohë lëvizjet e tyre dhe të përdorin rrugë alternative për të shmangur pritjet dhe vonesat eventuale në qarkullim.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë planifikuar udhëtime drejt vendlindjes apo tranzit nëpër këtë segment rrugor, këshillohen që të planifikojnë me kohë lëvizjet e tyre dhe, me qëllim të shmangies së pritjeve, vonesave apo pengesave eventuale në qarkullim, të shfrytëzojnë rrugë alternative”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.