Kujdes: Mos i ekspozoni fëmijët në ajër të ndotur

12:26 | 09 December 2018

Mjekët nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) apelojnë tek prindërit që mos t’i ekspozoni fëmijët në ajër të ndotur.

Shkalla e lartë e ndotjes së ajrit që po mbretëron tash sa ditë në kryeqytet, e shumë qytete tjera, kjo ka bërë që numri i qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore të rritet. Më të rrezikuarit janë fëmijët.
Këtë e ilustron fakti se në Klinikën e Pediatrisë në QKUK është duke u rritur numri i fëmijëve me probleme në frymëmarrje.

Drejtoresha e kësaj klinike, Drita Telaku, ka apeluar të qytetarët që të mos i ekspozojnë fëmijët gjatë ditëve kur ndotja e ajrit është e lartë.

Cilësia e ajrit në Prishtinë në muajt e fundit ka arritur shifra alarmante. Sipas Qendrës për matjen e cilësisë së ajrit, të vendosur nga Ambasada Amerikane, shkalla e ndotjes ka arritur deri në 400 ppm. Niveli i lartë i ajrit të papastër ka ndikuar edhe në shëndetin e banorëve në kryeqytet.

Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Drita Telaku, tha për televizionin publik se në këtë klinikë ditëve të fundit është regjistruar numër më i madh i fëmijëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Duke folur për ndikimin e ajrit të ndotur në shëndetin e fëmijëve, Telaku u ka bërë thirrje qytetarëve që të evitojnë ekspozimin e fëmijëve gjatë kohës kur ajri është i ndotur.

”Në sistemin respirator sidomos te fëmijët që kanë ndjeshmëri më të madhe bronkiale, te ata ndikon më shumë. Prandaj, gjithmonë janë këshillat për prindër: vendosini fëmijëve një shall në gojë kur doni të dilni. Mundësisht në orët e mbrëmjes ose kur e vëreni që është mjegull mos i qitni fëmijët pa nevojë jashtë. Këto janë disa masa të përgjithshme, mirëpo është e pamundur të izolohesh prej ajrit, sido që të jetë”, thotë Telaku.

Se ka fluks të rritur të pacientëve e konfirmon edhe kryeshefi ekzekutiv në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Sami Uka. Këtë fluks ai e arsyeton edhe me sezonin e dimrit duke mos përjashtuar edhe ndikimin e cilësisë së ajrit.

”Vërehet një fluks më i madh i pacientëve. Mirëpo, ai fluks i rritur nuk mund t’i përshkruhet vetëm ajrit të ndotur. Është sezoni i gripave, ndërrimit të temperaturave, kështu që në përgjithësi është numër më i madh i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore te ne”, thotë Uka.

Komento: