Duket se reshjet e borës kanë filluar t’i bëjnë rrugët të pakalueshme.
Komuna nuk e largoi borën në fshatin më të lartë të Prishtinës, bllokohen banorët e Barilevës. Si përfundim, banorët po detyrohen t’i lënë veturat e tyre në rrugë, e t’ia mësyn në këmbë.
Kjo është gjendja në rrugën e njohur si Lagjja e Llumnicëve në fshatin Barilevë të Komunës së Prishtinës.
Banorët e pakënaqur të kësaj ane, thonë se që nga e premtja, kjo rrugë është e pakalueshme, dhe se Komuna e Prishtinës, nuk po bën gjë për ta larguar boren.
E për shkak se ky fshat është më i larti i Komunën e Prishtinës, për shkak të rrezikut, qarkullimin e kanë ndalur edhe autobusët e trafikut urban.
Ekipi i T7 ka qëndruar aty deri në orët e mbrëmjes, ku kalimi në këtë rrugë u vështirësua edhe më tepër.
Ndërkohë, as në orët e vona ekipet e komunës nuk u panë.
T7 nuk ka arritur të marrë një përgjigje nga Komuna e Prishtinës, se pse nuk është bërë pastrimi në këtë pjesë të Prishtinës.
E rëndësia e kësaj rruge, sipas banorëve, është e madhe, pasi që i lidh tri komuna, atë të Prishtinës, të Podujevës dhe të Obiliqit.