Kujdes! Ushqimet që po konsumojnë kosovarët të “mbushura” me pesticide!

09:59 | 10 June 2020

Pemët e perimet të cilët po stimulohen të rriten me fitohormone janë rreziku për jetë që u kanoset konsumatorëve kosovarë.

Produkte të importuara nga e gjithë bota shiten në tregjet e Kosovës me përmbajtje të helmeve kancerogjene.

Aktorja Teuta Krasniqi në rrjetin social “Instagram” ka publikuar disa video që dëshmojnë se niveli i nitrateve është 10 fish më i madh se sa norma e lejuar, duke e cilësuar gjendjen alarmante.

Me norma të tejkaluara të nitrateve janë patatja e qepa.

Pavarësisht këtyre të dhënave, autoriteti shtetëror në Kosovë që është përgjegjës për sigurinë e ushqimit dhe shëndetin publik nuk ka vërejtur ndonjë produkt me përmbajtje të dëmshme.

Lamir Thaçi, zëdhënës në AVUK, për IndeksOnline ka thënë se nga të gjitha mostrat të cilat janë testuar nuk kanë pasur asnjë rezultat që dëshmohet prezenca e pesticideve mbi normat apo limitet e lejuara.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë përmes kontrollit Fitosanitar, atij të brendshëm dhe kufitar në vazhdimësi kontrollon pemët dhe perimet në të gjitha pikat dhe terminalet doganore në Kosovë për produktet qe vijnë nga importi.

Njëkohësisht edhe të gjithë fermerët qe produktet e tyre i nxjerrin ne treg për shitje. Ne vazhdimisht marrim mostra te pemëve dhe perimeve për mbetjen e pesticideve, duke u bazuar ne Planin nacional të mostrimit, dhe deri më tani, nga të gjitha mostrat të cilat janë testuar nuk kemi pasur asnjë rezultat që dëshmohet prezenca e pesticideve mbi normat apo limitet e lejuara”, tha ai.

Thaçi ka shtuar se nga 28 mostrat që janë marrë për analiza për mbetjen e pesticideve kanë rezultuar të sigurta për konsum dhe iu përgjigjen kushteve ligjore për tregtim dhe konsum.

Komento: