Me 6 tetor në Kosovë do të mbahen zgjedhjet parlamentare.
Xhavit Haliti ka deklaruar se PDK nuk ka vendosur vija të kuqe për asnjë subjekt politik, po që sipas tij, posti i kryeministrit duhet t’ takojë vetëm kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. Ndërkaq sot temë kryesore në vend kanë qenë replikat publike të Isa Mustafës e Albin Kurtit për marrëveshje parazgjedhore.
Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti është shprehur i bindur se PDK do të dal fituese në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetor. Kjo legjislaturë më shumë do të mbahet mend për shkelje të Kushtetutës dhe të rregullave në Kuvend nga Lidhja Demokratike dhe Vetëvendosja. Nuk kemi arritur ndonjë marrëveshje me ndonjë parti politike. Haliti gjatë intervistës “Kandidatët “, ka deklaruar se në legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës, ai pretendon të jetë deputetë, por që sipas tij, ky vendin nuk varet vetëm nga ai por edhe nga kryesia e partisë.
“Po besoj se nuk varet nga unë marrë vendim apo nuk marrë vendim. Ne kemi një rregull në parti që të gjitha kandidaturat dalin nga degët edhe nga kryesia e partisë, po besoj se krahasuar me të gjitha kandidaturat që kam qenë deputet dhe anëtar i kryesisë së Kuvendit edhe kësaj radhe do të jem një ndër kandidatët e Partisë Demokratike që do të konkuroj, në çoftë se ka ndonjë risi tek analiza në parti, atëherë normalisht që do të lëshoj rrugë nëse është e domosdoshme”, tha Haliti.
Derisa ka theksuar se PDK nuk ka vendosur vija të kuqe ndaj asnjë partie politike, nënkryetari i PDK-së ka deklaruar se janë duke bërë të gjitha përgatitjet që të dalin fitues në zgjedhjet e 6 tetorit.
Ai thotë se me këdo që do diskutojnë për ndonjë koalicion, PDK si kusht të vetëm ka që posti i kryeministrit t’i takojë vetëm Kadri Veselit.
“Ne do të fitojmë shumicën e deputetëve, do të dalim partia fituese në këto zgjedhje. Unë thash ne nuk kemi vënë vija të kuqe, por e kemi vetëm një kusht qeverinë do ta udhëheqë Kadri Veseli dhe me kënd pastaj duhet bërë koalicion sepse duhet bërë koalicion patjetër, atëherë do të diskutohet nga interesimi edhe i partive tjera edhe nga interesat tona që puqen edhe ideologjike edhe politike që janë të Kosovës”, tha Haliti.
Teksa vetëm edhe disa orë na ndajnë nga mbarimi i afatit që partitë politike t’i dorëzojnë koalicionit në Komisionit Qendror Zgjedhor, Haliti thotë se deri në këto momente PDK nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje për koalicion me ndonjë parti politike dhe nuk është e mbyllur për diskutim.
“Neve jemi të vendosur që të organizohemi fortë për zgjedhjet kemi ndërtuar një infrastrukturë me anëtarësi dhe me degë dhe nëndegë të organizuara fort për t’i fituar zgjedhjet. Deri tash ne nuk kemi insistuar që të jemi në koalicion me dikë. Sot është dita e fundit e asaj që do të thoja që duhet të paraqitet për koalicionet në KQZ deri tani në këtë kohë nuk kemi ndonjë marrëveshje me ndonjë parti por jemi deklaruar se nuk jemi të mbyllur për diskutime, por jemi të mbyllur për të negociuar për dhënien e postit të kryeministrit një partie tjetër. Ky është kushti jonë me kënd do që mund të bisedojmë për të hyrë në bisedime”, shprehet ish nënkryetari i Kuvendit të Kosovës.
Duke folur rreth taksës së vendosur ndaj produkte serbe dhe boshnjake, dhe asaj se kjo tarifë a duhet të hiqet apo jo nga qeveria e ardhshme e Kosovës apo duhet të mbes në fuqi, ish nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, thotë se nëse bashkësia ndërkombëtare kërkon ta heqë taksën e vendosur me qëllim të zhbllokimit të dialogut me Serbinë, një gjë të tillë duhet ta pranojë qeveria e ardhshme e Kosovës.
“Unë jam që vërtet të ketë një mundësi që në raportet Serbi-Kosovë, Bosnje Hercegovinë – Kosovë zbatimi i marrëveshjes së CEFTA-së të jetë e njëjtë për të dyja palët jo që Serbia të ketë pengesa për Kosovën, apo Bosnja të bëjë pengesa për Kosovën ndërsa Kosova t’i liroj të gjitha produktet që vijnë në Kosovë. Ndërsa taksa në çoftë se e gjitha bashkësia ndërkombëtare por kërkon që të hiqet për të shkuar më tutje me bisedimet me Serbinë për t’u shtensinuar situata mendoj se do të duhej të hiqet”, u shpreh Haliti.
Nënkryetari i PDK-së e ka arsyetuar shkuarjen e vendit në zgjidhje të parakohshme pasi ka vlerësuar se dy partitë opozitare LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje e bllokonin punën e Kuvendit të Kosovës, por në anën tjetër nuk e ka arsyetuar dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj .
“Neve në njëfarë mënyre nuk i dhamë kohë dhe hapësirë as mundësi as presidentit që të zbatoj Kushtetutën për t’iu dhënë mundësi dy herë siç është me Kushtetutë për të krijuar një mekanizëm të mundshëm, një qeveri të ri e cila do ta qonte deri në fund mandatin e kësaj qeverisje . Kur marr parasysh ato që përmenda mos pamundësinë për të funksionuar Kuvendin për shkak se dy partitë opozitare nuk merrnin pjesë në votim, partia Lista Serbe e cila është në parlament nuk merrte pjesë në seanca dhe një pjesë edhe e deputetëve të pozitës shumë herë nuk ishin në sallë dhe mundësia për të marr vendime ose për të votuar edhe ligjet ishte e tillë, atëherë unë e arsyetoj për këtë shkuarjen në zgjedhje, ndërsa nuk e arsyetoj vendimin e zotëri Haradinaj i cili e arsyetoi dorëheqjen e tij me moticavion se më ka thirrur Gjykata në Hagë me dëshmua”, tha ai
Si nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti ka vlerësuar se legjislatura e gjashtë e Parlamentit të Kosovës do mbahet mend për shkelje kushtetuese dhe mos respektim të rregulloreve të Kuvendit nga dy partitë më të mëdha opozitare.
“Kjo legjislaturë unë mendo se më shumë do të mbahet mend për shkak të shkeljes së Kushtetutës dhe të rregullave në Kuvend nga të dy partitë opozitare nga Lidhja Demokratike dhe Vetëvendosja të cilat nuk kanë ndenjur që t’i votojnë ligjet, që t’i votojnë vendimet, rezolutat në Kuvendin e Kosovës dhe një legjislaturë ku Qeveria nuk ka zbatuar asnjëherë rregullat që ka për të qenë gjithmonë pjesë e debateve në parlament e them këtë për faktin se në republika parlamentare nuk është e lejueshme në asnjë rast”, theksoi ai.