Kujt po i dërgon Hoti porosi për shuarjen e Taskë Forcës? “Do iu shkojmë gjërave deri në fund”

12:02 | 29 Tetor 2020

“Do iu shkojmë gjërave deri në fund” – Kujt po i dërgon Hoti porosi për shuarjen e Taskë Forcës?

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur në Kuvendin e Kosovës për shuarjen e Taskë Forcës Anti-Korrupsion, për të cilin vendim qeveria kishte marrë kritika të ashpra nga ndërkombëtarët.

Para deputetëve, Hoti tha se Taskë Forca nuk ishte askund në organogramin e Policisë së Kosovës, i cili sipas tij duhet të përgatitet në bazë të ligjit, shkruan lajmi net.

“Organogrami i Policisë duhet të përgjigjet sipas ligjit. Ky nuk është sipas ligjit. Pra duhet të kthehet ligjshmëria. Kjo Taskë Forcë ka qenë në ajër, e padefinuar në organogramin e Policisë. Policia do të shkëmbejë letra me Prokurorinë Speciale për t’u siguru që punët e nisura të përfundohen deri në definimin e organogramit”, ka thënë ai.

Madje Hoti u tregua shumë i ashpër kur pati disa cilësime për ata që kanë kritikuar për vendimin e qeverisë për shuarjen e kësaj Taskë Force.

“Çdo interpretim tjetër është i pasaktë. Ka shume njerëz që e kritikojnë këtë, ndoshta në mungesë të informatave. Ka njerëz, zyrtarë të ndryshëm që e kritikojnë këtë, edhe pse e dinë saktë se kah çon ky vendim i qeverisë. Janë tu kritiku ata që kanë frikë se gjërave kemi me ju shku deri në fund, koha do t’i tregoj të gjitha, dhe kemi me e pa”, tha Hoti.

Komento: