Kujtim Shala: Kurti u dorëzua, që të shpërndahet Kuvendi duhet të dorëhiqet ose ta rrëzojë Qeverinë me votat e shumicës

14:03 | 22 Mars 2024
kujtim-shala:-kurti-u-dorezua,-qe-te-shperndahet-kuvendi-duhet-te-dorehiqet-ose-ta-rrezoje-qeverine-me-votat-e-shumices

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mbrëmë pati një ofertë për opozitën.

Ai tha se mund të shkojnë në zgjedhje parlamentare kurdo që dëshirojnë partitë që nuk janë në pushtet.

“Unë po them që po shkojmë në zgjedhje kur dëshiron opozita. Ne i ndihmojmë opozitës nëse dëshirojnë të shkojnë në zgjedhje”, u shpreh kryeministri Kurti.

Kjo deklaratë e të parit të Qeverisë nxiti menjëherë reagimet e opozitës, shkruan Front Online.

Deputeti i LDK-së, njëherit nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Shala deklarimet e të parit të ekzekutivit po i sheh si dorëzim.

Madje, kërkon nga Kurti që të shpjegohet qartë se përse është dorëzuar.

“Deklarata e mbrëmshme është dëshmi që Kurti është dorëzuar dhe se po përpiqet të fshehë pikërisht dorëzimin e tij. Ai duhet të japë shpjegime të qarta se pse është dorëzuar”, është shprehur Shala për Front Online.

Ai, nuk ka treguar se a do t’i japin nënshkrimet si LDK për mocion për ta rrezuar Qeverinë, por vetëm ka thënë se Kurti duhet të dorëhiqet ose të rrëzojë Qeverinë e tij në votat e shumicës.

“Ndërsa që të hapet rrugë për shpërndarjen e Kuvendit, Kurti duhet të dorëhiqet ose të rrëzojë qeverinë e tij me votat e shumicës. Kjo është rruga për të bërë zgjedhje të parakohshme”, ka thënë ndër të tjera Shala.

Pas deklaratës së Kurtit mbrëmë ka reaguar edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi i cili ka thënë se nënshkrimet e deputetëve të PDK-së për shpërndarje të Kuvendit janë gati që nga sot.

Për zgjedhjet e parakohshme të premten foli edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i cili tha se në trevjetorin e Qeverisë Kurti, Kosova ka pësuar dëme e kthim në pikën më të errët.

Në një konferencë për media Tahiri tha se kryeministri i vendit Albin Kurti është dorëzuar dhe se po kërkon zgjedhje të parakohshme.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, të parakohshme, janë mbajtur më 2021. Në ato zgjedhje, LVV-ja fitoi mbi 50% të votave, kurse PDK-ja doli e dyta me 17%, LDK e treta me mbi 12% dhe AAK e katërta me mbi 7 për qind. Lista Serbe fitoi mbi 5% të votave./Front Online

 

Komento: