Policia raporton se një malishevas vdiq pas zjarrit, komuna thotë se pati sulm.
Një 64-vjeçar vdiq dje në rrethana të dyshimta në Malishevë. Nga policia po thonë se dyshimet e mjekut ishin që i moshuari vdiq nga ajri i tymosur, teksa nga komuna po thonë se zyrtarisht ai vdiq nga sulmi kardiak. Express ju sjell detaje
A.G, 64-vjeçar ka vdekur dje në Fshatin e Ri të Malishevës. Edhe pse nga policia u raportua se ai vdiq nga ajri i tymosur, pasi iu dogj stalla, nga komuna po e demantojnë Policinë e Kosovës për këtë njoftim.
Hafir Rexha nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim në Malishevë ka thënë për Express, se i moshuari vdiq nga sulmi kardiak e jo nga ajri i tymosur.
Sipas tij, tashmë i ndjeri vdiq pasi u lokalizua zjarri që e kishte përfshirë dje stallën e tij.
“Ngjarja ka ndodhur në Fshatin e Ri. Personi është Avdyl Gegaj, rreth 60-vjeçar. I është djegur stalla dhe personi që po raportohet se është i vdekur sipas zyrtarit tonë të DMSh-së dhe të gjithë akterëve që kanë qenë në vendin e ngjarjes, personi në fjalë ka pasur sulm kardiak, ka vdekur pasi është lokalizuar zjarri. Ndërkohë e ka pasur një sulm dhe ka vdekur e jo si pasojë e zjarrit”, ka thënë Rexha për Express.
Në ndërkohë nga policia e Kosovës kanë sqaruar se tashmë i ndjeri pas mesnate kishte shkuar në stallën e cila i ishte përfshirë nga zjarri, për të parë nëse zjarri është shuar plotësisht.
Sipas njoftimit, familjarët pas një ore e kishin gjetur atë të vdekur po atje.
“Policia e Kosovës, Stacioni Policor në Malishevë, rreth orës 02:30 të datës 03.08.2021 është njoftuar nga Qendra e Mjekësisë Familjare (QKMF), se një person i gjinisë mashkullore (viti i lindjes 1957), është sjellë pa shenja jete nga familjarët në këtë institucion shëndetësor. Njësitet relevante policore (patrulla dhe hetuesia), i janë përgjigjur rastit. Sipas deklaratave të familjarëve, dyshohet se viktima diku rreth orës 01:00 pas mesnate më datë (03.08.2021) ishte zgjuar dhe kishte shkuar tek shtalla e tij e cila ishte përfshirë nga zjarri, më 02.08.2021, që të sigurohej nëse zjarri ishte shuar plotësisht apo nëse është riaktivizuar. Familjarët e kishin gjetur viktimën rreth një orë më vonë dhe e kishin dërguar në QKMF”, sqaron policia.
Më tutje në këtë sqarim thuhet se raporti i policisë, se viktima ka vdekur nga ajri i tymosur është i bazuar mbi dyshimet e mjekut kujdestar në QKMF-në e Malishevës.
“Më 02.08.2021 si pasojë e zjarrit ishte djegur një pjesë e shtallës së tij, e cila dyshohet të jetë djegur si pasojë e lidhjeve të shkurtëra në rrjet elektrik shkaku i erërave të forta. Zjarri ishte shuar nga zjarrfikësit në të njëjtën ditë rreth orës 19:00, pra më datë 02.08.2021. Dyshimet e mjekut kujdestar janë se i njëjti mund të jetë ngulfatur/asfiksuar nga tymi i shtallës e cila edhe pse zjarri ishte shuar ende tymonte. Pas konsultimeve me prokurorin e shtetit rasti është kualifikuar si ‘hetim i vdekjes’, për hetim të rastit janë angazhuar hetuesit e Sektorit të Hetimeve Rajonale Gjakovë. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në tutje në sqarimin e policisë.
Ndërsa, Kosova ditëve të fundit është ballafaquar me zjarre malore dhe fushore në pjesë të ndryshme të vendit.
Qytetet më të prekura nga zjarri janë Peja, Gjilani dhe Suhareka.