
Kryesuesi i Kuvendit, Fehmi Kupina i ka reaguar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama lidhur me deklaratën e këtij të fundit se ia kishte hequr njëanshëm dy pika nga rendi i ditës i një seance të Kuvendit Komunal të thirrur më 24 maj, “Plani Rregullues i Lagjes Kalabria si dhe Plani Zhvillimor Komunal i Prishtinës”,.
Kupina thotë se që nga dita kur i kishte njoftuar për aftet ligjore për dërgimin e materialeve, e deri ditën e djeshme në ora 16:00, as në formë fizike e as elektronike nuk është dorëzuar asnjë material për Planin Urbanistik për lagjen Kalabria.
Derisa sa i përket pikës së rendit të ditës për Planin Zhvillimor Komunal, Kupina ka thënë se linku që ishte paraqitur s’ka qenë funksional dhe ka qenë e pamundur qasja e këshilltarëve komunal, dhe ani pse kishin kërkuar nga ana propozuesve funksionalizimin e linkut, një gjë e tillë s’ka ndodhur dhe janë detyruar ta largojnë nga rendi i ditës si pikë.
Tendenca për viktimizim e Ramës, dhe fajësim të të tjerëve, sipas Kupinës është rezultat i rritjes së presionit qytetarë ndaj dështimit të kryetarit.
“Ju njoftoj se në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit Komunal të Prishtinës qysh në mbledhjen e kaluar të Komitetit për Politikë dhe Financa i kam njoftuar anëtarët e ekzekutivit për datat e mbajtjës së mbledhjes së radhës së Kuvendit Komunal. Gjithashtu i kam njoftuar për afatet ligjore për dërgimin e materialeve dhe propozimeve për pika të rendit të ditës. Me përgjegjësi maksimale deklaroi se deri dje në ora 16:00 kur është bërë thirrja për mbledhjen e radhës së Kuvendit Komunal, në zyren e Kryetarit të Kuvendit Komunal, as në formë fizike e as elektronike, nuk është dorëzuar asnjë material për Planin Urbanistik për lagjen Kalabria. Për më tepër, as sot, as tani, nuk kemi asnjë material për këtë çéshtje. Sa i përketë pikës së rendit të ditës për Planin Zhvillimor Komunal (PZHK), ajo ka qenë pjesë e rendit të ditës në thirrjen për seancë, mirëpo pas verifikimit të marerialit është konstatuar se linku i paraqitur nuk është funksional dhe këshilltarët komunal e kanë të pamundur qasjen në materiale. Kemi kërkuar nga ana e propozuesve funksionalizimin e linkut, por kjo nuk ka ndodhur dhe jemi detyruar ta largojmë si pikë të rendit të ditës”, ka shkruar Kupina në Facebook.