“Kur djersa s’respektohet, dhimbja bëhet revoltë”, Tayna me mesazh të fortë për Gjestin

21:31 | 14 Mars 2026

Vendimi i Gjykata Themelore në Prishtinë për t’i caktuar 30 ditë paraburgim reperit Gjesti, emri i vërtetë i të cilit është Besart Kelmendi, ka shkaktuar reagime të shumta në estradën shqiptare.

Ndërsa institucionet e drejtësisë po vazhdojnë procedurat ligjore lidhur me rastin, shumë artistë kanë nisur të shprehin publikisht mbështetjen e tyre për kolegun.

Së fundmi ka reaguar edhe reperja e njohur Tayna, e cila përmes një postimi në Instagram është përpjekur të tregojë një anë tjetër të situatës – atë që, sipas saj, shpesh mbetet e padukshme për publikun.

Artistja ka publikuar një fotografi ku ajo dhe Gjesti shihen duke u përqafuar në skenë, ndërsa në përshkrim ka ndarë një mesazh emocional për mënyrën se si shpesh gjykohen artistët.

“Shumë njerëz e gjykojnë reagimin, por pak e dinë çfarë e shtyn një artist deri aty. Kur puna jote, zëri yt dhe djersa jote nuk respektohen, dhimbja bëhet revoltë,” ka shkruar Tayna, duke lënë të kuptohet se prapaskenat e industrisë muzikore mund të jenë shumë të vështira për artistët.

Sipas saj, rasti i Gjestit nuk është vetëm një çështje individuale, por një problem që prek shumë krijues në industrinë muzikore. Ajo bëri thirrje për më shumë solidaritet mes artistëve në momente të tilla.

“Artistët meritojnë drejtësi për krijimet e tyre. Në fund të ditës ne kalojmë sfida të ngjashme… dhe këto janë momentet kur bashkë duhet të mbështesim njëri-tjetrin”, përfundoi reperja.

Reagimi i Taynës tregon se, pavarësisht problemeve të tij aktuale me drejtësinë, Gjesti vazhdon të gëzojë mbështetje dhe respekt nga një pjesë e kolegëve të tij në skenën muzikore shqiptare.

Komento: