
Është rikthyer sërish diskutimi mbi shkuarjen e vendit në zgjedhje. E gjitha ndodhi pas një takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, ku mbrëmë kishin një darkë e ku kishin diskutuar për shumë çështje për rreth dy orë, mesin e shumë temave ishte diskutuar edhe tema për shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, shkruan FrontOnline.
Një ditë pas këtij takimi, kanë filluar të qarkullojnë edhe datat optimale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
30 qershori ose 7 korriku i këtij viti, po përfliten si data optimale për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në vend.
Këto data janë propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, derisa LDK dhe AAK nuk kanë ndonjë datë për zgjedhje.
Të gatshëm për zgjedhje shprehen të gjitha partitë politike, por deri më tani nuk është caktuar zyrtarisht ndonjë datë për zgjedhje ose takim gjithëpërfshirës politik për takim ku do të caktohej data e zgjedhjeve.
Bajqinovci i VV-së: Veç PDK-ja e gatshme për zgjedhje, LDK-ja dhe AAK-ja jo
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, për FrontOnline ka folur rreth mundësisë së shkuarjes në zgjedhje të parakohshme e ku deklaron se si subjekt politik janë të gatshëm për një gjë të tillë.
‘’Opozita na ka lodhur duke thënë nuk po guxoni, nuk po mundeni andej e këndej dhe ne tashmë veç ju treguam se jemi të gatshëm për zgjedhje. Kemi hyrë në vitin e katërt të qeverisë dhe jemi të gatshëm për zgjedhje’’ deklaron deputeti i VV-së
Bajqinovci thotë se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme për të shkuar në zgjedhje, por se nuk po sheh gatishmëri nga opozita për një gjë të tillë.
‘’Opozita gjithë kohën thotë se nuk janë gati dhe tash e shihni se një pjesë e opozitës nuk janë të gatshëm me iu përgjigj ftesës se kryeministrit Kurti’’potencon Bajqinovci.
Ai deklaron se si Vetëvendosje nuk kanë ndonjë datë për zgjedhje.
‘’Nuk kemi datë, por jemi të gatshëm në çdo kohë nëse ulet opozita ta gjeje një konsensus për zgjedhje’’ thekson ai.
Deputeti i VV-së, konsideron se nga opozita vetëm PDK është e gatshme për zgjedhje, por jo edhe LDK dhe AAK.
‘’Ju keni dëgjuar edhe kryeministrin Kurti se është i gatshëm të takohet me opozitën, por opozita nuk është gati sidomos LDK dhe AAK, por opozita nuk janë gati përveç PDK-së. Nëse komplet opozita është gati edhe ne jemi, por siç duket ata nuk po e kanë’’ përfundon ai.
Kreu i PDK-së kërkon unitet politik për të shkuar në zgjedhje
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit të mbrëmshëm me kryeministrin Albin Kurti, është deklaruar se i ka kërkuar përshpejtim për të shkuar në zgjedhje të reja.
“Andaj ia shpreha edhe kryeministrit Kurti që konsideroj se duhet ta përshpejtojmë punën për t’i dhënë zgjidhje këtyre temave. Partia Demokratike e Kosovës tashmë e ka nominuar edhe kandidatin e vetë për kryeministër të Kosovës, zotin Bedri Hamza, që konsiderojmë që është kandidati më i duhur për t’iu dhënë zgjidhje dhe përgjigjje këtyre probleme. Por për të arritur deri këtu, një gjë është e domosdoshme, e ato janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sepse situata e jashtëzakonshme kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha mbrëmë Krasniqi.
Krasniqi, ka kërkuar bashkim politik për shkuar në zgjedhje, pasi që sipas tij zgjedhjet duhet të jenë një qëndrim i përgjithshëm politik.
“Të bëhemi bashkë për të shkuar në zgjedhje bashkë, sepse në fund të fundit zgjedhjet duhet të jenë një qëndrim politik i përgjithshëm. Një dakordësim me të gjitha partitë parlamentare për një datë të re të zgjedhjeve, për ta shpërndarë Kuvendin e Kosovës përmes një mocioni të përbashkët”,”, potencoj ai.
Për Krasniqin zgjedhjet janë nevojë dhe domosdoshmëri, duke kërkuar konkretizim të hapave në vazhdim.
‘’Zgjedhjet janë nevojë e vendit, janë domosdoshmëri, andaj duhet të kemi hapësirë për t’i konkretizuar me hapat në ditët në vijim”, theksoj Krasniqi mbrëmë.
Sekretari i LDK-së: Kurti të dorëhiqet, data e zgjedhjeve ka pak rëndësi
Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Imri Ahmeti, për FrontOnline deklaron se Lidhja Demokratike e Kosovës është e gatshme për të shkuar në zgjedhje. Ai thotë se pritjet e LDK-së, janë që kryeministri Albin Kurti të jep dorëheqje dhe jo të shkohet në zgjedhje përmes shpërbërjes.
‘’Kur do që shpallet data, LDK është e gatshme. Pritjet e LDK-së janë që vetë kryeministri me dhënë dorëheqje dhe jo përmes shpërbërjes sepse ai është dorëzuar ai para kohe. Megjithatë ne kemi dhënë qëndrimin përmes komunikatës’’ thekson ai.
Ai ka deklaruar se nuk kanë datë për zgjedhje, por e sheh të rëndësishme shkuarjen në zgjedhje.
‘’Nuk kemi përcaktuar datë sepse është çështje procedurale, shumë e thjeshtë e rëndësishme është me shkuar në zgjedhje dhe s’ka rëndësi data a është dy apo tri javë para ose pas, e rëndësishme është me shkuar në zgjedhje’’ deklaron ai për FrontOnline.
Sekretari i LDK-së, deklaron se LDK ka rritje të jashtëzakonshme dhe do të del triumfuese karshi partive tjera.
‘’Kemi rritje të jashtëzakonshme, ne jemi çdo ditë në terren, LDK do të dal triumfuese në raport me partitë tjera dhe në raport me zgjedhjet e kaluara’’ potencon Ahmeti.
Për fund Ahmeti, thotë se kryeministri Albin Kurti po kërkon shpëtim përmes opozitës dhe që të shkohet në zgjedhje.
‘’Kemi ardhur në një pozitë ku kryeministri po kërkon shpëtim përmes opozitës me shkuar në zgjedhje duke iu ikur temave tjera më të rëndësishme. Ai zotëria le të jep dorëheqje’’, përfundon ai.
Nitaj i AAK-së: Problemi është te Qeveria, prandaj duhet të dorëhiqet ose të shkarkohet
Sekretari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, për FrontOnline potencon se subjekti i tyre është gati për zgjedhje por se duhet pasur arsye pse vendi të shkoj në zgjedhje.
‘’Ne e kuptojmë që opozita, parimisht, duhet të jetë e gatshme për ta pranuar sfidën e zgjedhjeve në çdo kohë, por është shumë e rëndësishme të kuptohet se cila është arsyeja pse vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ne rastin tonë, nuk është problemi te Parlamenti, sepse ai është funksional’’, deklaron Nitaj.
Nitaj, problem e sheh Qeverinë dhe jo Kuvendin dhe se zgjedhjet mundësohen vetëm përmes shkarkimit të Qeverisë ose dorëheqjes së saj dhe se për të AAK, ka kohë që kërkuar mocion për këtë gjë.
‘’Problemi është te qeveria dhe lëmshi zgjidhet vetëm me dorëheqjen ose shkarkimin e saj. ` Aleanca ka shumë kohë që ka kërkuar mocion mosbesimi ndaj qeverisë, e bindur se kjo do të ishte rrugëdalja më e mirë, por nuk jemi kuptuar drejtë, ndërkaq sot situata ka mbërritur në pothuaj të njejtën pikë, vetëm me kushtin e amnistimit të qeverisë për krejt dështimet e saj. Kjo është politikisht e gabuar’’ potencon ai për FrontOnline.
Sekretari i AAK-së, thekson se qëndrimi i AAK-së është i qartë dhe mbështetë shpërbërjen e parlamentit.
‘’Qëndrimi i AAK-së është publik e i qartë. Ajo do ta mbështesë shpërbërjen e parlamentit, vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Qeverisë. Prandaj nuk shohim asnjë arsye të takohemi për tu bërë pjesë e një procesi që krijon perceptimin e “fajtorit kolektiv”. Përgjegjësi kryesor për situatën e krijuar është QeveriA. Ajo duhet të tërhiqet dhe vendi të shkojë në zgjedhje’’ përfundon ai.
Analisti Raci: Vjeshta mbetet opsion për zgjedhjet e reja
Analisti politik, Gazmir Raci, për FrontOnline ka komentuar datat e mundshme për shkuarjen në zgjedhje.
Ai deklaron se nëse ka kohezion politik mes pozitës dhe opozitës, mund të ketë shpejtë zgjedhje.
‘’Nëse ka kohezion politike ne mes te pozites dhe opozitës mund të shkojmë shumë shpejtë në zgjedhje të parakohshme’’ deklaron ai.
Analisti Raci, thotë se në bazë të deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, opsion për shkuarjen në zgjedhje mbetët vjeshta.
‘’Un ë mendoj që në bazë të asaj çka ndëgjova mbrëmë prej kryeministrit Kurti tashmë opsion për zgjedhje të reja e të parakohshme mbetët vjeshta’’ thekson ai për FrontOnline.