Kur do të ngrohë dielli në Kosovë, e tregon Tahirsylaj

11:09 | 03 March 2019

Tashmë moti ka filluar të ngrohet në vendin tonë.

Gjatë ditëve në vijim do të mbretërojë mot i ngrohtë dhe tipik pranveror. Këtë e ka bërë të ditur, eksperti i meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj.

Java që vjen do të fillojë me mot dukshëm më të ngrohtë se ato të ditëve që lamë pas. Që nga e hëna, në Kosovë do të ketë ngritje të temperaturave.

Tahirsylaj, thotë se temperatura më e lartë që pritet gjatë javës së ardhshme do të jetë plus 18 gradë Celsius.

“Vendi do të vazhdojë të jetë nën ndikimin e masave ajrore relativisht të nxehta, të cilat vijnë nga pjesa veriore e Afrikës, këto masa do të shprehin efektin e vet në ngritjen e temperaturave si atyre minimale edhe atyre maksimale. Temperatura minimale deri ditën e shtunë do të jetë -1 më e ulëta, me ultësira në vendet kodrinore-malore mund të shkojë deri në minus 2 dhe minus 3 gradë Celsius. Maksimalja do të shkojë deri në fund të javës deri në plus 18 gradë Celsius, prandaj është një kohë e mirë për kryerjen e të gjitha veprimtarive e me theks të veçantë atyre bujqësore”, thotë Tahirsylaj.

Ndërkaq ai thekson se nga ana e jugut dhe jugperëndimit do të ketë erë, me shpejtësi nga 1 deri në 8 metër për sekondë, prandaj të shtunën do të ketë reshje shiu të intensitetit mesatar.

Tahirsylaj gjithashtu ka bërë të ditur se temperaturat të cilat regjistrohen mund të kenë një efekt jo të mirë për kulturat bujqësore, sidomos për pemëtarinë, pasi jemi ende në stinën e dimrit.

“Në lugina mund edhe të ketë mjegull por do të jetë e paqëndrueshme, është një mot tipik i pranverës së hershme. Temperaturat të cilat regjistrohen, kanë një efekt jo të mirë për kulturat, përkatësisht pemëtarinë meqenëse ende jemi në stinën e dimrit, por ngricat nuk do të kenë ndonjë ndikim të posaçëm”, thekson Tahirsylaj.

Komento: