Kur do të zhbllokohet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë?

19:46 | 08 July 2019

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të jetë i bllokuar.

Procesi i bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë mbetet i pezulluar dhe deri tani dështuan edhe disa përpjekje ndërkombëtare për të zhbllokuar situatën.

Kjo bllokadë dhe përplasjet e vazhdueshme kanë çuar në shtimin e tensioneve ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Drejtori ekzekutiv i Grupit Ballkanik për hartimin e polikave, Naim Rashiti thotë për Zërin e Amerikës se situata aktuale po e fut Kosovën në një status quo të gjatë dhe të rëndë. Ai thotë se një proces i vazhdueshëm bisedimesh Kosovë-Serbi do të mund të ulë tensionet e larta ndërmjet të dy vendeve.

“Vetë procesi intensiv i ul tensionet, i ul gjakrat dhe natyrisht me bashkërendime të brendshme, nëse elitat në Kosovë dhe Serbi arrijnë të bashkërendojnë veprimet në mes vete sepse ky është defekti kryesor i këtyre dy viteve, por si i tillë do ta bënte procesin shumë më praktik dhe ruajtjen nga ngritja e tensioneve”,tha ai.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se procesi i bisedimeve shpeshherë është keqpërdorur nga Prishtina dhe Beogradi dhe kjo ka ndikuar edhe në marrëdhëniet ndëretnike në vend.

“Dialogu Kosovë-Serbi ka ndikuar edhe në marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë, pasi që shpesh komunitetet kanë qenë të marra peng nga politika, qoftë e Prishtinës apo Beogradit zyrtar. Kjo tregon që politika në Kosovë duhet të jetë më vigjilente dhe duhet të tregojë një seriozitet më të madh që patjetër dialogu Kosovë-Serbi të mbetet një çështje e rëndësisë së lartë por që mos t’i lejë anash çështjet tjera”,tha ajo.

Analistët thonë se muajt e ardhshëm do të jenë të vështirë për vazhdimin e bisedimeve Kosovë-Serbi pasi që sipas tyre, po bie interesimi i faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e çështjes ndërmjet dy vendeve.

Rashiti thotë se nga rënia e interesimit më së shumti do të pësonte Kosova, që nga menaxhimi i sfidave të brendshme deri te ato ndërkombëtare.

“Kosova pastaj duhet të mendohej mirë dhe të bëj zgjidhje, a është në gjendje që politikisht dhe institucionalisht të ruaj qëndrueshmërinë e brendshme, të konsolidoj shtetin për aq sa rrethanat tjera ndërkombëtare lejojnë. Por, do të jetë jë status quo e gjatë e rëndë e cila natyrisht që mund të menaxhohet por kërkon shumë angazhim politik për çka edhe nuk po i shohim udhëheqësit e gatshëm”,tha ai.

Ndërsa, Jeta Krasniqi tërheq vëmendjen edhe tek mungesa e bashkërendimit të institucioneve të Kosovës përballë bisedimeve me Serbinë, gjë që mund të sjellë një marrëveshje jo të mirë për vendin.

“Por mbetet fakti që edhe nëse tarifat hiqen dhe palët ktheheshin në dialog, Kosova nuk është e përgatitur në kuptimin që ende nuk ka një qëndrim unik të shtetit të Kosovës i cili mbështetet nga udhëheqësit institucional dhe kjo që patjetër e dëmton rolin e Kosovës, por edhe të ardhmen dhe vet pozitën e Kosovës në tryezën e diskutimeve”,tha ajo.

Kosova e Serbia vazhdojnë të mbajnë qëndrime të pandryshuara përballë mundësisë së vazhdimit të bisedimeve. Derisa, Serbia kërkon heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe si kusht për të vazhduar bisedimet, Kosova kërkon që bisedimet të mos kushtëzohen.

Komento: