Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se ratifikimi i kufirit me Malin e Zi ishte zdrukthtari, në ditën ndërkombëtare të pyjeve iu dhanë 8.200 hektarë.
Kurti, ka kujtuar se sot bëhen 1 vit prej ratifikimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, por që korrigjimi s’ka ndodhur ende.
“8.200 hektarë për një karrige”, nis Kurti shkrimin e tij.
Por këtë 1 vjetor, Kurti e ka ndërlidhur edhe me ditën ndërkombëtare të pyjeve, që sipas tij, 8200 hektarë iu dhanë Malit të Zi.
“Sot u bënë një vit prej kur u ratifikua demarkacioni “Meha” në Kuvend, ndërkaq nesër bëhen 400 ditë të marrëveshjes ‘korrigjuese’ Thaçi-Vujanoviq. Për ironi, mu në ditën ndërkombëtare të pyjeve, më 21 mars, iu dhanë 8.200 hektarë Malit të Zi”, ka shkruar Kurti, transmeton Koha.net.
80 vota, thotë Kurti, kurrsesi nuk do t’i bënin atë ditë pa këtë mashtrimin me korrigjim kufiri.
“Marrëveshja e Podgoricës e pranonte gabimin por mashtronte se do ta korrigjonte atë. Një vit më vonë as që është formuar Trupi i Përbashkët Punues për të cilin thuhej se do ta kthejë kufirin në Çakor e Zhlep e me Bjelluhën brenda Kosovës”, thotë Kurti.
“Nuk është turp nëse deputetët thonë se janë mashtruar”, ka shkruar Kurti.
“Turpi i përket mashtruesit. Mirëpo, nëse cilido pas mashtrimit, për shkak të egos, nuk pranon se ka qenë i mashtruar, atëherë bëhet bashkëfajtor. Ratifikimi ishte zdrukthtari e jo demokraci. Nga pyjet e atyre 8.200 hektarëve u nxor sall një karrige kryeministri”, ka përfunduar kryetari i LV-së.