Qeveria kërkon shkarkimin e Bordit të KPMM-së, Kurti akuzohej më 2021 se kishte ndërhyrë për t’i zgjedhur.
Dyshohet se Bordi i Komisionit për Miniera dhe Minerale ka dëmtuar buxhetin e shtetit me vlerë prej nëntë milionë euro.
U zgjodhën në dhjetor të vitit 2021.
Për zgjedhjen e këtij bordi të Komisionit të Pavarur të Minierave dhe Mineraleve pati akuza të partive opozitare ndaj kryeministrit Albin Kurti për ndërhyrje.
Mirëpo rreth 1 vit më pas, është pikërisht partia në qeverisje që po kërkon shkarkimin e tyre.
Kjo pasi dyshohet se Bordi i KPMM ka dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej nëntë milionë eurosh.
E nisma e inicuar nga deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, ndodhi nën arsyetimin se bordi ka bërë shkelje të ligjit.
Kjo nismë po përkrahet edhe nga deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala.
Mirëpo shkarkimi i të gjithë anëtarëve të bordit nuk po mirëpritet nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku.
Kuvendi i Kosovës pati në rend ditë në seancën e fundit shkarkimin e këtij bordi, por për shkaqe procedurale me kërkesë të LVV u hoq kjo pikë nga rendi i ditës.
Ky rekomandim i Komisionit për Ekonomi pritet të shqyrtohet në një seancë tjetër të Kuvendit.