Anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO nuk ka të bëjë asgjë me Serbinë, i tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, televizioni shtetëror zviceran “SRF”.
Pengesa e Kosovës janë vetëm pesë shtetet mosnjohëse të BE’së, supozon Kurti. “Por, ne nuk do të dorëzohemi”, tha ai.
Pyetur nga televizioni zviceran se “a nuk po i hedh benzinë zjarrit” në raport me Serbinë, Kuri tha se po mbron “integritetin, sovranitetin dhe demokracinë”.
“Jemi shtet i ri, por popull i vjetër”, tha ai.
“Nuk e japim funksionalitetin e shtetit dhe integritetin territorial, integritetin e kufijve tonë”, u shpreh Kurti, teksa konstatoi se “Serbia nuk është vend demokratik”.
Kryeministri u shpreh se “nuk besoj se mund të bëjmë kompromis me pavarësinë dhe lirinë”, derisa vazhdoi të vlerësojë se Serbia duhet të distancohet nga regjimi i Slobodan Milosheviqit.
“Dhe, qeveria serbe duhet të distancohet nga regjimi i Putinit, me të cilin punon ngushtë”.
Ka rrezik që Seria “të bëjë diçka”, tha Kurti, duke folur për grupet mercenare Wagner, për të cilat beson se janë vërejtur kohëve të fundit në Serbi.