Kurti bën bilancin për javën që shkoi, përmend vizat, targat dhe pranimin e pasaportës së Kosovës nga Spanja

19:56 | 07 Janar 2024
kurti-ben-bilancin-per-javen-qe-shkoi,-permend-vizat,-targat-dhe-pranimin-e-pasaportes-se-kosoves-nga-spanja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ditën e fundit të javës ka thënë se “java e parë e vitit të ri ka qenë javë e fillimeve të reja për qytetarët dhe shtetin tonë”.

“Për herë të parë, mund të udhëtojmë në zonën shengen pa viza. Targave ilegale të Serbisë u erdhi fundi 24 vjet pas çlirimit, e targat RKS u njohën nga Serbia 15 vjet pas shpalljes së Pavarësisë. Filloi regjistrimi i energjisë elektrike në katër komunat në veri të vendit, pas më shumë se dy dekadave. Ndërkaq në prag të 16-vjetorit të Pavarësisë, Spanja iu bashkua shteteve të Bashkimit Evropian që e njohin pasaportën e Kosovës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Fillimet që po i shënojmë e festojmë tani, janë rezultate të një pune të gjatë e vendosmërie të madhe të institucioneve tona që vazhdon edhe më tej”.

“Falënderoj të gjithë kabinetet politike dhe punonjësit e shtetit dhe qeverisë për kontributin e tyre, dhe partnerët tanë ndërkombëtar për rolin që kanë luajtur. Por më së shumti qytetarët e vendit tonë që na besuan dje dhe që na mbështesin sot e çdo ditë. Vazhdojmë”, ka shkruar tutje Kurti, transmeton Gazeta Sinjali.

Komento: