Kurti: Beogradi po përdor serbët e veriut për të minuar statusin demokratik të Kosovës

11:05 | 14 February 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Beogradi nuk i ka prioritet të drejtat e serbëve në veri, por ajo që Serbia kërkon është përdorimi i pranisë së serbëve për të minuar statusin demokratik të Kosovës.

“Nuk kam përshtypjen se ajo që synon Beogradi janë të drejtat e serbëve, ajo që ata kërkojnë është përdorimi i pranisë së serbëve për të minuar statusin tonë demokratik”, citohet të ketë thënë kryeministri i vendit, Albin Kurti për agjencinë franceze të lajmeve AFP në një artikull që kjo media i ka kushtuar situatës në veri.

Përkundër vakumit të sigurisë, autoritetet në Prishtinë këmbëngulin se situata në veri mbetet nën kontroll, thuhet në artikullin e AFP-së, të cilin e ka transmetuar sot mediumi francez, France24.

Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla hodhi poshtë pretendimet për vakum sigurie në veri, duke thënë se qeveria mbetet e përkushtuar për “ligj dhe rend”.

“Policia e Kosovës është më funksionale se kurrë atje”, tha Sveçla për AFP.

“Ka vështirësi, kjo është e qartë. Por këto vështirësi po krijohen si rezultat i veprimeve të grupeve kriminale atje, të cilat gjithashtu mbështeten dhe promovohen nga Serbia”, citohet të ketë thënë Ministri i Brendshëm.

Siç është bërë e ditur dje, interesim të vogël ka pasur për zëvendësimin e policëve në veri.

Sipas raportimeve rreth 140 pjesëtarë të komuniteteve joshumicë aplikuan në konkursin e Policisë së Kosovës për punësimin e punëtorëve të rinj në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Komento: