Kurti: Betimi i tre kryetarëve tjerë në veri bëhet nesër në ndërtesa publike, synojmë normalizimin e gjendjes

12:07 | 24 May 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për betimin e kryetarëve të zgjedhur edhe në tri komunat në veri të vendit, pasi të premten e kaluar kryetari i Mitrovicës së Veriut mori detyrën e tij.

Kurti ka thënë se frikësimet, linçimet dhe shantazhi nga Beogradi zyrtar ndikuan drejtpërdrejt në daljen e ulët të qytetarëve serbë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri, të cilat kishin mbetur pa kryetarë, dy prej tyre pa Kuvende, e qytetarët pa shërbime publike.

Andaj, Kurti tha se betimi i kryetarëve të rinj është proces normal që vjen pas zgjedhjeve demokratike, që synon kthimin e normalitetit dhe ofrimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët.

“Dje u bënë një muaj prej mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat në veri. Nuk pati asnjë incident, ishin të qeta dhe paqësore. Frikësimet, linçimet dhe shantazhi nga Beogradi zyrtar ndikoi drejtpërdrejt në daljen e ulët të qytetarëve tanë serbë në këto zgjedhje. Vota e munguar ishte mungesë e vullnetit të lirë, jo shprehje e vullnetit politik. Fushata të tilla kërcënuese ndaj serbëve të pushtetit lokal, veçanërisht në katër komunat në veri të vendi janë të shpeshta dhe të vazhdueshme. Por veç pse diçka ndodh shpesh dhe vazhdimisht nuk do të thotë se është normale dhe e pranueshme. Të premten e kaluar kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut bëri betimin e tij. Kjo është normale pas një procesi zgjedhor, nënkryetare u emërua një serbe, kjo është normale në këtë komunë. Ky është progres që duhet normalizuar. Nesër në ndërtesat publike në këto komuna do të mbahen seanca konstituive dhe betimi i tre kryetarëve të rinj. Kanë kaluar mbi 6 muaj prej kur ato mbetën pa kryetarë, dy prej tyre edhe pa Kuvende e qytetarët pa shërbime publike. Kjo nuk është normale. Veprimet tona kanë në qendër funksionalizimin demokratik të institucioneve shtetërore dhe garantimin e shërbimeve publike për të gjithë qytetarët. Kjo nuk është zgjedhje, është obligim i yni të cilin angazhohemi ta bëjmë duke mbrojtur të drejtën e e çdo njeriu, liritë civile, sundimin e ligjit, pluralizmin politik e demokracinë në vend”, u shpreh kryeministri Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Komento: