Në Bruksel, pas një takimi të zhvilluar në Ambasadën e Kosovës në Belgjikë, kryeministri Albin Kurti diskutoi me ndihmës sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James O’Brien, për ngjarjet e fundit që kanë tronditur sigurinë e Kosovës, veçanërisht për sulmin terrorist të 29 nëntorit në kanalin e Ibër Lepencit.
Kurti theksoi se ky sulm ishte i planifikuar dhe i realizuar në mënyrë profesionale, me qëllim shkatërrimin e shërbimeve esenciale për qytetarët, si rryma, uji dhe telekomunikimi, si dhe për çrregullimin e jetës shoqërore dhe ekonomike në Kosovë.
“Në Bruksel, në ndërtesën e Ambasadës sonë në Belgjikë, u takuam me Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James O’Brien. Marrëdhëniet dypalëshe dhe forcimi i partneritetit e aleancës janë gjithmonë pjesë qendrore e diskutimeve tona. Këtë herë, theks të veçantë pati sulmi kinetik terrorist i 29 nëntorit ndaj infrastrukturës sonë kritike, në lidhje me të cilin ndava detajet e fundit të hetimeve dhe vlerësimeve tona, si dhe e njoftova me reagimin e institucioneve të vendit për sanimin e dëmit të shkaktuar nga shpërthimi dhe për sigurimin e furnizimit të rregullt me energji elektrike dhe ujë të pijshëm për gjithë qytetarët. Sulmi i të premtes është sulmi më i madh dhe më serioz ndaj infrastrukturës kritike, që për qëllim kishte rrënimin e shërbimeve esenciale, si rryma, uji dhe telekomunikimi, dhe çrregullimin e jetës shoqërore dhe ekonomike si dhe të funksionimit të institucioneve”, ka shkruar Kurti.
Ai përmendi gjithashtu reagimin e institucioneve të Kosovës për sanimin e dëmit të shkaktuar dhe për sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm me energji elektrike dhe ujë të pijshëm.
Kurti nënvizoi se, në takimin me O’Brien, diskutuan rëndësinë e ndëshkimit të autorëve të këtij sulmi dhe përpjekjet për t’i sjellë ata para drejtësisë. Ai kërkoi gjithashtu përgjegjësi për grupet që organizuan sulmin, përfshirë kryekriminelin Millan Radoiçiq dhe grupin e tij paramilitar, të cilët vazhdojnë të paraqesin rrezik për sigurinë e Kosovës dhe të rajonit.
“Ai ishte i menduar dhe planifikuar mirë dhe i ekzekutuar profesionalisht. Dënimi njëzëri i këtij sulmi terrorist dhe kërkesa e përbashkët për dhënie të përgjegjësisë nuk është vetëm kërkesë për llogaridhënie nga autorët por edhe masë parandalimi të sulmeve të ngjashme në të ardhmen. Andaj edhe në këtë takim, e theksova rëndësinë e arrestimit dhe ekstradimit të kryekriminelit dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq e grupit të tij me 44 paramilitarë të tjerë, për të cilin Prokuroria tashmë ka një aktakuzë prej 160 faqesh, dhe i cili vazhdon të paraqesë rrezik për sigurinë e vendit dhe të rajonit për sa kohë që endet i lirë në Serbi dhe ka mbështetjen e liderëve dhe aparatit shtetëror atje. E falënderoj Ndihmës Sekretarin O’Brien dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e tyre ndaj Republikës së Kosovës pas sulmit terrorist të së premtes së shkuar, dhe për sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë”, ka shkruar Kurti.