Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach. Përgjatë bisedës u nënvizua përkushtimi i Kosovës për anëtarësim në NATO dhe BE.
Kështu bëri të ditur Zyra e Kryeministrit me anë të një komunikate për media, teksa bëhet e ditur se u bisedua edhe për Ukrainën.
“Duke biseduar për Ballkanin Perëndimor, u theksua rëndësia për më shumë koordinim në politikën rajonale, me qëllimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të forcimit të aleancës veri-atlantike, për paqe dhe siguri në rajon dhe më gjërë”, thuhet në komunikatë.
“Kryeministri Kurti theksoi angazhimin e Qeverisë për t’u bërë pjesë e Programit Partneriteti për Paqe të NATO-s, derisa të bëhemi anëtar i plotë i NATO-s. Ndërsa lidhur me invazionin dhe agresionin ushtarak rus në Ukrainë, Kryeministri potencoi se Republika e Kosovës ka bashkërenduar politikën e jashtme me Bashkimin Evropian”, vijon më tej komunikata.
Gjithashtu, sipas ZKM-së, Kurti e njoftoi Peach edhe për Pakon e Ringjalljes Ekonomike, të cilën e portretizoi si masë për luftimin e inflacionit.
Komunikata e plotë:
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar bisedë telefonike me të Dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti i shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të Madhërisë së saj, Mbretëreshës Elizabetë II.
Duke biseduar për Ballkanin Perëndimor, u theksua rëndësia për më shumë koordinim në politikën rajonale, me qëllimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të forcimit të aleancës veri-atlantike, për paqe dhe siguri në rajon dhe më gjërë.
Kryeministri Kurti theksoi angazhimin e Qeverisë për t’u bërë pjesë e Programit Partneriteti për Paqe të NATO-s, derisa të bëhemi anëtar i plotë i NATO-s. Ndërsa lidhur me invazionin dhe agresionin ushtarak rus në Ukrainë, Kryeministri potencoi se Republika e Kosovës ka bashkërenduar politikën e jashtme me Bashkimin Evropian.
Duke biseduar pasojat ekonomike dhe energjike të agresionit rus, kryeministri Kurti e njoftoi emisarin Peach për masat e ndërmarra nga Qeveria, në mbështetje të qytetarëve, nëpërmjet Pakos së Ringjalljes Ekonomike, asaj për përballje me inflacionin si dhe masat e prezantuara të subvencionimit për efiçiencë të energjisë për qytetarët.