Kurti: Bruto Produkti Vendor për herë të parë sivjet do ta kalojë shifrën prej 10 miliardë eurosh

11:38 | 11 November 2024
kurti:-bruto-produkti-vendor-per-here-te-pare-sivjet-do-ta-kaloje-shifren-prej-10-miliarde-eurosh

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në Kuvend ka folur për projektbuxhetin për vitin 2025 që pritet të votohet sot.

Ai ka thënë se është kryeministri i parë që e prezanton buxhetin e katërt të mandatit.

“buxheti për vitin 2025 është projektuar të jetë 3.6 miliardë euro apo rreth 9 për qind më i lartë se buxheti i vitit 2025, ose 60 për qind më i lartë sesa i vitit 2020. Për të arritur deri këtu këto katër vite kaluam shumë sfida globale dhe të brendshme por njëkohësisht e për dallim nga të tjerët para nesh u siguruam që buxheti të orientohet aty ku kthimi është më i larti, te qytetarët tanë. Duke e bërë këtë vit pas viti rritej edhe buxheti pa ndryshuar asnjë politikë tatimore sepse investimi në qytetarët tanë vazhdonte të kthente rritje të qëndrueshme. Buxheti i vitit 2025 është buxheti i katërt me radhë që po e prezantojmë si qeveri në këtë mandat, miratimi në Qeveri dhe prezantimi i buxhetit në kuvend çdo herë e kemi bërë sipas rregullave të përcaktuara me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike”, ka thënë Kurti.

“Buxheti për paga dhe shtesa 13.85 për qind më i lartë se në vitin 2024 ose 111.5 milionë euro; buxheti për mallra dhe shërbime duke i përfshirë edhe shërbimet komunale është 3.2 për qind më i lartë se në vitin 2024, buxheti për subvencione dhe transfere 8.75 për qind më i lartë se në vitin 2024 e këtu luajnë rol masat e reja, pensionet, shtesat për fëmijë, rimëkëmbja ekonomike etj.; buxheti për investime kapitale është 8.3 për qind më i lartë se në vitin 2024”, shtoi Kurti.

Kurti tha se është rritur Bruto Produkti Vendor “aq sa për herë të parë sivjet do ta kalojë shifrën prej 10 miliardë eurosh”.

“Për vitin e ardhshëm pritet të shkojë përtej 11 miliardë euro”, tha ai.

“Sivjet do të kemi Bruto Produkt Vendor afër shtatë herë më të lartë se në vitin 2000, që është viti i parë pas çlirimit, apo afër 3 herë më i lartë se në vitin 2008, që është viti i shpalljes së pavarësisë dhe afër 50 për qind më i lartë se sa viti 2019, viti i parë parapandemik”, tha Kurti.

Komento: