Kurti: Dëmtimi i kanalit të ujit në Veri është lu*ftë kinetike, Washingtoni dhe BE duhet ta dënojnë Beogradin

13:08 | 30 November 2024
kurti:-demtimi-i-kanalit-te-ujit-ne-veri-eshte-lu*fte-kinetike,-washingtoni-dhe-be-duhet-ta-denojne-beogradin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin me eksploziv në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Ai ka vizituar sot vendin ku ka ndodhur shpërthimi dhe ka thënë se një gjë e tillë mund të kryet vetëm nga organizata profesioniste, e që sipas kryeministrit, kapacitetet për një gjë të tillë i ka vetëm Serbia.

Kurti ka përmendur organizatën terroriste “mbrojtja civile”, duke thënë se e njëjta gjendet në lista e rrogave të Serbisë.

“Unë e pashë vendin e ngjarjes, këtë s’ka mundësi ta bëjë një individ apo dy, nuk ka mundësi që këtë ta bëjnë qytetarët e zakonshëm. E ka bërë një organizatë që është profesioniste për sulme të tilla terroriste dhe kapacitetin për një gjë të tillë e ka vetëm Serbia. Mbrojtja civile është në listë të rrogave në Serbi dhe në organogramin e shtetit agresor të Serbisë, prandaj dhe ne e mbajmë Serbinë përgjegjëse për këtë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka tërhequr edhe një paralele me intensifikimin e sulmeve të Rusisë ndaj strukturës kritike të Ukrainës, duke thënë se tashmë s’bëhet fjalë vetëm për luftë hibride por edhe për luftë kinetike.

“është e qartë që lufta hibride ka marrë hov të madh dhe është bërë ajo që quhet edhe në literaturë në strategjitë ushtarake e të mbrojtjes si luftë kinetike. Sepse po synohet dëmtimi i infrastrukturës kritike ku dëmi është maksimal. Dëmi maksimal është synuar edhe këtë sulm terrorist”

“Serbia financon orkestron dhe mbështet organizata të tilla, prandaj e bëjmë fajtore Serbinë. Kërkojmë që Washingtoni dhe Brukseli ta dënojë Beogradin. Nuk është e rastësishme heshtja e presidentit të Serbisë. Nuk është e rastësishme që ata po presin se sa është dëmi, sa na kanë destabilizuar, në mënyrë që të shohin se çfarë episodesh të tjera të organizojnë”, ka thënë kryeministri.

Komento: